Ekspertë psikiatër nga Tirana për vrasësin
Me kërkesë të Prokurorisë, autori i krimeve të ndodhura në fshatin Podgorie në Korçë, do të ekzaminohet nga Komisioni i Kontrollit Psikik në Tiranë. Këtë lajm e kanë bërë të ditur burime pranë organit të akuzës ditën e djeshme, fill pas hetimeve të para rreth vrasjes së Lulëzim Lazes dhe plagosjes së mbesës së tij, Shpresa Çoçka. Dyshimet rreth çekuilibrimit mendor të Reshit Adrit, 45 vjeç, banor i fshatit Podgorie, kanë lindur tek njerëzit me të cilët ai ka pasur kontakt gjatë kohëve të fundit. Po ato janë shtuar edhe gjatë zhvillimit të ngjarjeve të rënda që pasuan njëra-tjetrën gjatë dy ditëve të fundit. Kështu, ai nuk ka kontrolluar veprimet e tij jo vetëm gjatë akteve kriminale që kreu, por edhe pas tyre. Tentativa për të vrarë këdo që i dilte përpara, sjella anormale e deri vrastare ndaj gruas dhe dy djemve të tij dhe mandej kundërvënia me armë ndaj forcave të policisë janë një vazhdë që tregojnë çekuilibrim të sistemit të tij nervor. Por vulën duket se ia kanë vënë hetimet e para, e veçanërisht deklarimet e Reshitit para ekspertëve të policisë kriminale. Gjatë marrjes në pyetje, Reshiti ka qenë tepër konfuz e kontradiktor. Atë çka deklaronte në fillim më pas e hidhte poshtë, atë që e cilësonte mik, më pas e cilësonte shkaktar të tragjedisë së tij familjare. Mësohet se fisin Laze e ka cilësuar shkaktar të vdekjes së djalit të tij. Por për këtë akuzë nuk e argumenton me asnjë lloj fakti. Duke folur përçart ka deklaruar se edhe prishja e dy krushqive mes dy fiseve ka ndikuar në vrasjen e të birit. Asnjëherë gjatë këtyre deklarimeve ai nuk e ka pranuar që djali i tij është vetëvrarë dhe është shprehur se ia kanë vrarë hasmët e tij që gjenden në fshat. Në këto rrethana është forcuar dyshimi se gjendja e tij mendore ka pësuar çekuilibrim. Në këto rrethana u arrit në konkluzionin që të kërkohet ekzaminimi psikik i tij nga komisioni përkatës pranë mjekësisë ligjore në Tiranë. Kërkesa zyrtare për këtë qëllim pritet të niset ditën e sotme. Pasditen e së hënës, Reshit Adri terrorizoi banorët e fshatit Podgorie, duke qëlluar me breshëri. Ai la të vdekur Lulzim Lazen si dhe plagosi mbesën e tij, ndërsa më pas i bëri rezistencë policisë me armë për 15 orë me radhë. Adri u gjet i fshehur në malin e Thatë, i cili ndodhet mbi fshatin e tij të lindjes, bashkë me një arsenal armatimi. Gjendja e tij mendore, sipas të afërmve, ishte rënduar pas vetëvrasjes së të birit, ushtar në muajin nëntor. Përgjigjja mohuese për blerjen e një celulari për 19-vjeçarin, dyshohet se shkaktoi dhe depresionin e të riut, me pasojë vetëvrasjen e tij me armën e shërbimit. j.gj