Marrin peng e torturojnë të riun
KUÇOVE/ DILAVER XHELILI
Merret peng dhe keqtrajtohet në mënyrë barbare derisa detyrohet të pranojë një vjedhje. Krenar Muça, 31 vjeç ndodhet në spitalin e Beratit pas frakturave dhe plagëve, që ai kishte marrë nga dhuna e tre personave, dy prej të cilëve tashmë të arrestuar. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Gegë të komunës Kozare të martën rreth orës 15:00. Për më shumë se tre orë, 31- vjeçari është mbajtur peng dhe dhunuar nga Ilirjan Plaku nga Kuçova si dhe dy shokët e tij, Artur Qose dhe Mirjan Qose. Policia bëri të ditur se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë marrë peng në makinën tip “Opel” në pronësi të Mirjan Qoses, 31-vjeçarin. Kjo për shkak se ata dyshonin se viktima ishte autor i një vjedhje të kryer në lokalin e njërit prej pengmarrësve, Artur Qoses. Në sajë të hetimeve paraprake rezultoi se personat, pasi e kanë futur me forcë në makinë, janë nisur bashkë me Muçën në periferi të fshatit, drejt pyllit. Atje e kanë keqtrajtuar deri në atë pikë sa viktima është detyruar të pranojë, se ishte ai autori i vjedhjes së kryer pak ditë më parë në lokalin e Artur Qoses. Pasi e torturuan për rreth tre orë dhe kur ai pranoi vjedhjen, autorët e pengmarrjes dhe keqtrajtimit u larguan, duke e lënë pa ndjenja Muçën në mes të rrugës. Disa kalimtarë e kanë gjetur të riun në orët e darkës në gjendje të rëndë. Ata kanë sinjalizuar policinë, ndërsa i dhanë të plagosurit ndihmën e parë. Në drejtim të vendit të ngjarjes u nisën menjëherë grupi i gatshëm dhe ekspertët e kriminalistikës. Pas këqyrjes së vendit dhe identifikimit të personave që kishin shkaktuar këtë ngjarje, blutë u vunë në kërkim të tyre. Viktima u transportua në spital, pasi gjendja e tij ishte e rëndë. Pas dy orë kërkimesh, policia arrestoi Ilirian Plakun dhe Artur Qosen. Ndërsa shtetasi Mirjan Qose është shpallur në kërkim, pasi është larguar bashkë me mjetin që ishte në pronësi të tij. Sipas burimeve të policisë, Ilirjan Plaku, 32 vjeç nga qyteti i Kuçovës rezultoi të kishte qenë i dënuar më parë për vjedhje. Nga hetimet paraprake rezultoi se Artur Qose, 38 vjeç banues në fshatin Gegë në komunën Kozare ishte personi që ka shtyrë dy bashkëpunëtorët e tij në marrjen peng e më pas torturimin e 31-vjeçarit. Ata do të përballen me drejtësinë me akuzën e pengmarrjes dhe torturimin me pasojë plagosjen rëndë të Muçës.