Tare në cirk, argëtohet me fëmijët
Dash Frashëri
Igli Tare vazhdon të jetë një personazh karizmatik në Itali edhe jashtë botës së futbollit. Madje, drejtori aktual Sportiv i Lacios ka qenë shpesh pjesë e iniciativave humanitare e sociale si ato kundër diskriminimit racial “Un calcio al razzismo” (një shkelm racizmit), por edhe në ndihmë të projekteve të ndryshme. Sipas asaj që shkruan një nga gazetat më të mëdha sportive në Itali, “Corriero dello Sport”, Igli Tare dhe ekipi i Lacios kanë qenë të pranishëm në cirk për t’u argëtuar bashkë me fëmijët pas të dielës magjike, ku Lacio fitoi 3-2 me Rexhinën në Rexho Kalabria. Të dielën e ardhshme në “Olimpico” do të mbërrijë Juventusi, një ndeshje e vështirë, por që pritet me interesim të jashtëzakonshëm. Lacio nuk dëshiron aspak të dështojë në këtë “big-match”. Dhe të njëjtin qëndrim mban edhe Igli Tare, që shton se “Kjo Lacio është e denjë për Ligën e Kampioneve”.
LIGA E KAMPIONEVE
Tare është intervistuar dhe videoja qarkullon në internet, në faqen e gazetës “Corriero dello Sport”, në okelion “Lacio, kriza është kaluar”. “Momenti i vështirë filloi me humbjen në derbi. Në katër-pesë ndeshje radhazi më pas ne kishim humbur besimin te vetja, por me barazimin me Udinezen kuptuam se u rikthyem sërish dhe këtë e konfirmuam me fitoren kundër Palermos dhe më pas kjo e së dielës (së kaluar) me Rexhinën. Vendi i katërt? Përse jo, kemi një skuadër të fortë dhe jemi në luftë për këtë objektiv të rëndësishëm, që do të thotë se do të luftojmë më të tjerët edhe për Ligën e Kampioneve”, - tha Tare për mikrofonat e “Corriero dello Sport”.
MERKATO
Në lidhje me merkaton, Igli Tare shtoi: “Ne kemi një skuadër të madhe dhe një grup të mirë lojtarësh. Në këtë moment jemi shumë. Jemi thuajse 31 lojtarë, kështu që edhe dikush do të largohet. Dhe këtë do ta bëjmë sigurisht edhe për të vlerësuar ata lojtarë që kanë më pak hapësirë në skuadrën tonë. Nuk kemi diskutuar ende për emrat e lojtarëve që do të largohen, kemi thënë vetëm se jemi të kënaqur me grupin që kemi. Nëse do të gjejmë ndonjë lojtar që do ta përmirësojë këtë skuadër, edhe mund ta bëjmë. Për momentin jemi duke folur për merkaton, por për lojtarët që do të largohen”, - përfundoi drejtori Sportiv i Lacios.
Festival golash, Energi i Skelës fiton 10-1
Festival golash. Energi Kotbus fitoi 10-1 ndeshjen miqësore të zhvilluar në Qipro kundër Omonia Nikosia (me formacionin e dytë), ndërkohë që Ervin Skela shënoi golin e katërt (atë 4-0) për ekipin e tij. Fantazisti realizoi në mënyrën tradicionale të tij, nga një goditje e lirë nga 18 metra, pikërisht në këndin e pambuluar nga muri dhe portieri i Omonias. Skuadra gjermane është treguar e papërmbajtshme nga fillimi i takimit dhe deri në fund të tij, kur Jelic shënoi dhe golin e 10-të në minutën e 89-të. Skela dha edhe asistin e golit të gjashtë. Për skuadrën qipriote golin e nderit e shënoi Andreou (atë 5-1) në minutën e 48-të. Ervin Skela luajti deri në minutën e 75-të, duke u zëvendësuar nga Petersen. Klodian Duro nuk luajti në këtë takim, pasi Energi u përball me skuadrën e dytë të Omonias.
15 Janar 2009