Aksidentet, prokuroria: Fajin e kanë gjithnjë viktimat
ANALIZA
VLORË - "Mungesa e një eksperti të mirëfilltë në policinë e Vlorës po bën që në të gjitha rastet e aksidenteve të rezultojë që viktima është fajtore",- është shprehur kreu i prokurorisë së këtij qyteti, Sokol Malaj, gjatë analizës së punës njëvjeçare të drejtorisë së policisë.
Duke folur lidhur me sektorin e qarkullimit rrugor, kreu i prokurorisë ka evidentuar mungesën e një eksperti të mirëfilltë duke u shprehur se ka shumë akte ekspertimi që nxjerrin me shkelje viktimën, çka e detyron organin e akuzës të kërkojë akte riekspertimi nga Tirana.
Gjithashtu Malaj ka nxjerrë në pah problemin e ndryshimit të shpeshtë të zëvendësdrejtorëve, çka ka bërë që bashkëpunimi prokurori - polici të kthehet në joefikas. Problematike është cilësuar edhe numri i vjedhjeve, të cilat kanë pësuar një rritje të ndjeshme.
Sidomos kjo rritje është ndier në vjedhjen e linjave të rrjetit elektrik, të cilat kanë një shtim në maksimum, çka ka bërë të ulet dhe zbulueshmëria. Me privatizimin e OSSH-së, sipas kreut të prokurorisë, vjedhja e linjave të energjisë elektrike është bërë edhe më evidente, vjedhje këto që dyshohet t'i kenë realizuar punonjës apo ish-punonjës të këtij sektori.
Ndërsa nëndrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Hamdi Fjora, është ndalur kryesisht në problematikat. Ndër to ai ka përmendur, mosevidentimin në analizë të disa problematikave mjaft prioritare, hartimin e disa strategjive të punës, pa marrë parasysh mentalitetin dhe kulturën e komunitetit që jetojnë në këtë qark, disa udhëzime që nuk kanë kaluar në nivelin zbatues, si dhe mungesa e bashkëpunimit në situata të veçanta me vendorin, ku ka pasur raste të konfliktimit, deri edhe në shfaqje të dhunës.
Sipas tij, në elemente analizues të përparësive është anashkaluar marrja parasysh e elementeve të kulturës së komunitetit, mbi të cilat ndërtohen objektiva të veçanta.
Vëmendja e nivelit drejtues, evidentoi Fjora, nuk përqendrohet në ekipet e patrullimit, ku ndër të tjera ka pasur edhe moszbatime urdhri të ardhura nga prokuroria apo organe të tjera, duke bërë që këto urdhra dhe udhëzime të mos kalojnë në nivele zbatuese.
Duke iu referuar elementeve të cilat nuk janë përmendur në analizë, nëndrejtori i policisë së shtetit ka veçuar faktin e përdorimit të lëndëve plasëse. Këto të fundit rezultojnë të përdoren rëndom në gjuetinë e peshkut dhe për këtë nuk ka asnjë procedim. Kjo në një kohë kur lëndë të tilla prodhohen në mënyrë artizanale.