Shembja e pallatit në Gjirokastër, prokuroria apelon vendimin
KËRKESA/ Nga ana e organit të akuzës është vijuar me kërkesën për dënimin me 38 vjet burg të të pandehurve
GJIROKASTËR- Pak më shumë se një muaj pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për 7 të akuzuarit e shembjes së pallatit 5- katësh në lagjen "11 Janari" të qytetit të Gjirokastrës, ku mbetën të vdekur 3 vetë, ndërsa 14 familje mbetën të pastreha, Prokuroria ka depozituar pranë Gjykatës së Apelit ankimimin në lidhje me këtë çështje. Tashmë pritet që ky organ të vendosë nisjen e rigjykimit.
Një periudhë më shumë se njëmujore i ka mjaftuar Prokurorisë së Gjirokastrës të përgatisë dosjen, që e ka depozituar paraditen e së mërkurës pranë Gjykatës së Apelit.
Ndryshimi i veprave penale për të pandehurin kryesor të kësaj çështjeje, presidentin e firmës ndërtuese "Arti shpk", Sotiraq Janora dhe shpallja të pafajshëm për 3 prej të akuzuarve, punonjës të bashkisë së Gjirokastrës përbëjnë thelbin e ankimimit, pasi ngjarja e 9 nëntorit të vitit të kaluar ka pasur 3 viktima dhe, sipas prokurorisë, vendimi i gjyqësorit të shkallës së parë ishte tepër i ulët në krahasim me veprën penale.
Ndërkaq, burime pranë Gjykatës së Apelit kanë bërë të ditur se ankimimi i paraqitur nga Prokuroria do të merret në shqyrtim për të vendosur më tej për të filluar gjykimin e çështjes në shkallën e dytë të gjyqësorit shqiptar.
Në seancën e fundit në procesin gjyqësor ndaj shtatë të pandehurve, të akuzuar për shembjen e pallatit 5- katësh, trupi gjykues vendosi të shpallë të pafajshëm 3 prej tyre, punonjës të bashkisë.
Për gjyqtarët, gjatë këtij procesi nuk janë vërtetuar akuzat "shpërdorim i detyrës" për shefin e urbanistikës në bashki, Alfred Mamani, si dhe "shpërdorim i detyrës në bashkëpunim" për punonjësit e inspektoriatit të ndërtimit Leonard Mustafaraj e Petrit Maksuti.
Ndërkaq, Sotiraq Janora, president i firmës ndërtuese "Arti shpk" është deklaruar fajtor për veprat penale "vrasje nga pakujdesia" e "shkatërrim i pronës nga pakujdesia" dhe është dënuar në total me 6 vjet heqje lirie. Inxhinieri i firmës ndërtuese "Arti sh.p.k", sekretarja e KRRT-së në bashkinë e Gjirokastrës, Afërdita Papamihali, si dhe ish-shefi i inspektoratit të ndërtimit në bashkinë e qytetit, Admir Sheha janë deklaruar fajtorë për veprën penale "shpërdorim i detyrës" dhe përveç dënimit me burg e gjobë është vendosur heqja e së drejtës për të ushtruar profesionin.
Për këtë ngjarje, Prokuroria e Gjirokastrës kishte kërkuar shpalljen fajtorë të 7 të akuzuarve për veprat penale të "vrasjes në rrethana të cilësuara", sShpërdorim i detyrës" dhe "shkatërrim i pronës me dashje" dhe dënimin në total me 38 vjet heqje lirie.