Informaliteti, sindikatat: Qeveria nuk po e lufton
SHKODËR/ Rritja e energjisë, si dhe e çmimeve në fundvit ka qenë një tjetër shqetësim për sindikalistët
SHKODËR - Informaliteti është problem shqetësues dhe për sindikatat, ndërsa qeveria nuk po bën aq sa duhet për ta minimizuar apo eliminuar atë. Kështu është shprehur kryetari i BSPSH-së për prefekturën e Shkodrës, Albert Tukaj, gjatë një takimi mes sindikatave lidhur me problemet e punës së zezë.
Sipas Tukajt, zyrtarisht thuhet se në Shkodër rreth 20% e popullsisë së aftë për punë është e papunë, por të gjithë e dimë se informaliteti është i pranishëm kudo, edhe pse ai nuk deklarohet zyrtarisht.
Puna e zezë është më e pranishme në sektorë, si: ndërtimi, tekstilet, transporti dhe peshkimi, ndërsa është vetë shteti që, edhe pse e ka ngritur disa herë këtë shqetësim, nuk bën sa duhet për ta luftuar atë, është theksuar gjatë takimit të sindikatave kresore dhe përfaqësuesve të zyrës së punës dhe institucioneve të tjera që lidhen me këtë problem.
Sindikalistët shkodranë janë shprehur dhe kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe të çmimeve të produkteve bazë. Tani në prag festash, madje që nga fillimi i këtij muaji, çmimet e mishit, peshkut, frutave, perimeve, pijeve alkoolike e lëngjeve të frutave kanë pësuar rritje.
Duke qenë se tregtarët shesin pak, ata spekulojnë me rritjen e çmimit të produkteve tradicionale të festave siç janë frutat, mishi i shpendit, peshku etj., ndërsa strukturat shtetërore nuk kanë marrë asnjë masë për frenimin e rritjes së çmimeve që vazhdon të jetë prezente çdo ditë.