Aksidenti, dy të vdekur, plagoset shoferi i kryebashkiakut të Patosit
FIER/ Karafil Karafilaj dhe Adi Kodheli nga Ballshi kanë mbetur të vdekur si pasojë e përplasjes
FIER - Aksident me një bilanc tragjik në rrugën nacionale Fier-Ballsh. Nga ky aksident kanë mbetur të vdekur dy vetë, ndërsa personi i tretë ka mbetur i plagosur rëndë.
Aksidenti ka ndodhur në orën 19:00 në vendin e quajtur "Kthesa e Portëzës",.rreth 5 kilometra larg qytetit të Fierit. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se automjeti i tipit "Benz" me targa MK 4185 A ku udhëtonin dy banorë të Mallakastrës është përplasur me një mjet tjetër tip "Toyota" me targa TR 4682 I.
Përplasja ka qenë fatale. Dy personat që udhëtonin me automjetin me targa të Mallakastrës kanë mbetur të vdekur në vend, ndërsa drejtuesi i mjetit me targa të Tiranës është plagosur rëndë.
Policia e qarkullimit që ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka bërë nxjerrjen e viktimave nga makina. Burimet policore shprehen se pas kontrollit të ushtruar në automjet është gjetur patenta e njërit prej viktimave, i quajtur Karafil Karafilaj, 46 vjeç, lindur dhe banues në Ballsh.
Bashkë me të ka gjetur vdekjen edhe Adi Kodheli, 32 vjeç, i martuar, po banor i Ballshit. Burimet policore konfirmojnë se personi që udhëtonte me makinën "Toyota" me targa të Tiranës dhe që është plagosur mjaft rëndë, është shoferi i kryebashkiakut të Patosit.
Agim Jaupaj, banor i lagjes "Liri", Fier, është nxjerrë nga makina e aksidentuar dhe është transportuar për në spital. Ai ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, si dhe në disa pjesë të trupi dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Sipas policisë, shoferi i kryebashkiakut të Patosit ishte duke udhëtuar për në drejtim të Patosit, kurse automjeti me targa të Mallakastrës në drejtim të Fierit. Dëmtimi i mjeteve ka qenë i madh.
Policia dhe ekspertët po hetojnë për shkaqet e aksidentit ndërsa cilësohet se mjetet kanë qenë me shpejtësi më të madhe se e lejuara. Vetëm dy ditë më parë një tjetër aksident ka ndodhur në rrethin e Fierit ku gjeti vdekjen një çift bashkëshortësh nga Vlora.