Tropoja, 3 ditë pa ujë, 24 orë pa drita
MOTI I KEQ/ Defekt në nënstacionin elektrik të Bajram Currit dhe në stacionin e pompave të ujësjellësit të Shoshanit
Moti i keq dëmton edhe disa linja elektrike të amortizuara nëpër fshatra. 10 turistë kanë ngecur në Valbonë
TROPOJË - Rrethi i Tropojës prej tre ditësh po vuan mungesën e ujit të pijshëm, ndërkohë që prej mesnatës së martë duke u gdhirë e mërkurë dhe deri në orët e mbrëmjes së të merkurës ka kaluar në një "black out" të energjisë elektrike si pasojë e një defekti të rëndë në nënstacionin elektrik të Bajram Currit. Por mungesën e energjisë elektrike po e vuajnë edhe disa fshatra të këtij rrethi si pasojë e dëmtimit të rrjetit të tensionit të ulët të amortizuar.
Zyrtarë të pushtetit vendor në qytetin e Bajram Currit bëjnë të ditur se si pasojë e djegies së një bobine në nënstacionin elektrik, ky qytet dhe shumica e fshatrave kanë mbetur pa energji elektrike.
Ndërkohë që një defekt në stacionin e pompave në ujësjellësin e Shoshanit ka lënë pa ujë të pijshëm rreth 15 mijë banorë të qytetit të Bajram Currit dhe fshatrave që furnizohen nga ky ujësjellës. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se specialistët e KESH-it po punojnë për eliminimin e defektit në nënstacionin elektrik, por deri në orët e mbrëmjes së mërkurë kjo nuk është bërë e mundur.
Qyteti i Bajram Currit furnizohet me ujë të pijshëm nga gurra e fshatit Shoshan dhe ujësjellësi i këtij qyteti funksionon me ngritje mekanike. Krahas mungesës së ujit dhe energjisë elektrike, zona e Tropojës është përfshirë edhe nga një mot i keq, i shoqëruar me dëborë dhe erëra të fuqishme, të cilat kanë shkaktuar edhe dëmtime të rrjetit elektrik nëpër disa fshatra.
Aktualisht trashësia e dëborës në qytetin e Bajram Currit arrin në rreth 15 centimetra, ndërsa në zonat rurale ajo arrin në mbi 30 centimetra, bëhet e ditur nga zyrtarët e pushtetit vendor në Tropojë. Situata më e vështirë paraqitet në rrethinat e Luginës së Valbonës.
Si pasojë mbi 20 fshatra të rrethit tashmë janë të bllokuara dhe situata mund të përkeqësohet në orët e ardhshme, pasi reshjet e dëborës po vazhdojnë të bien dendur në të gjithë rrethin pa pushim prej më shumë se 12 orësh. Reshjet e dëborës kanë shkaktuar edhe izolimin thuajse të menjëhershëm të shumë fshatrave të komunave të Lekbibajt e Margegajt ku trashësia e dëborës ka arritur në mbi 50 centimetra.
Bora bllokon në Valbonë 10 turistë të huaj
Fshatrat e Luginës së Valbonës po frekuentohen nga turistët e huaj edhe gjatë dimrit në turizmin dimëror apo të aventurës. 10 turistë kanë mbetur të bllokuar në fshatin Rragam të Shalës në Valbonë ku trashësia e borës ka arritur në rreth 80 centimetra.
Turistët janë adhurues të sporteve dimërore dhe kanë ardhur në fshatrat e luginës së Valbonës për të ushtruar sportet dimërore dhe ato të aventurës. Por bora që ka rënë gjatë këtyre ditëve ka bllokuar qarkullimin në aksin rrugor Bajram-Curri -Valbonë, duke bllokuar njëherësh edhe lëvizjet e turistëve për në Bajram -Curri.
"Mbaj kontakte të vazhdueshme me fshatarët ku janë akomoduar turistët. 10 turistët janë shëndoshë e mirë në fshatin Valbonë, por nuk mund të lëvizin si pasojë e motit të keq dhe dëborës", deklaron kryetari i komunës së Margegajve Rexhë Biberaj.