E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, rriten gjobat ndaj drejtuesve të mjeteve

Vazhdon aksioni i policisë rrugore për parandalimin e aksidenteve. Bashkë me uniformat blu të Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, në aksion janë bashkuar edhe efektivët e Patrullës së Përgjithshme, të cilët kanë intensifikuar punën për goditjen e gjithë shkelësve të rregullave rrugore. Sipas të dhënave policore, ky aksion është ndier më shumë në Tiranë. Burimet zyrtare bënë të ditur se Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë po vazhdon me intensitet planin e masave në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore, forcimit të masave për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor. Kontrollet po ushtrohen në rrugët publike nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme të Policisë, në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe parkimet e gabuara. Kështu, ditën e djeshme në Qarkun e Tiranës, vetëm nga shërbimet e policisë rrugore, janë konstatuar dhe vendosur 741 masa administrative, me vlerë totale, 752 mijë lekë. "Në qytet, shërbimet e policisë rrugore kanë vendosur 443 gjoba, me vlerë 459 mijë lekë, ndërsa jashtë qytetit, 298 gjoba të tjera, me vlerë 293000 lekë. Gjithashtu, policia rrugore ka pezulluar pesë leje drejtimi për automjete", deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Tiranës. Gjithashtu, në zbatim të këtij plani masash edhe nga shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, të Komisariateve të Policisë së Tiranës, janë konstatuar dhe vendosur shumë masa administrative. Kështu, nga këto shërbime janë vendosur 1342 gjoba, me vlerë 570 mijë e 600 lekë. Gjithsej, nga të gjitha shërbimet, në harkun kohor të 24 orëve janë vendosur 2084 masa administrative, me vlerë 1 milion e 322 mijë lekë. Gjoba janë vendosur edhe një ditë më parë, nga policia e Tiranës dhe sipas informacioneve aksioni do të vijojë edhe në ditët e tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›