E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e viktimave: Një falsitet shtyrja e gjyqit

Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë ndjekur sërish nga afër procesin gjyqësor, duke reaguar fort për shtyrjen e tij. Feruz Durdaj, babai i një djali 10-vjeçar që humbi jetën nga tragjedia, deklaroi pas seancës gjyqësore se ky proces është një falsitet i plotë dhe nuk e kupton arsyen përse është shtyrë, duke ditur që dhimbja e tyre është e madhe. Ai nuk do t‘ia dijë për procedura burokratike ligjore, si dhe mungesat e pajustifikueshme të avokatëve në seancë. E rëndësishme për të është që përgjegjësit e katrahurës të marrin dënimin e merituar. "Shteti duhet të tregojë se është shtet. Drejtësia duhet të veprojë, pasi ngjarja ka qenë e rëndë. Ne si familjarë të viktimave të tragjedisë kërkojmë me ngulm që procesi gjyqësor të hapet dhe të shohim zhvillimet e gjyqit. Nuk na intereson nëse ndonjë prej tyre del i pafajshëm. E rëndësishme është që personat që kanë vërtetë përgjegjësi të dënohen sipas ligjeve të shtetit shqiptar", thotë Feruzi, duke marrë aprovimin e familjarëve të tjerë, të cilët ndajnë të njëjtin hall me të. Ende nuk e kuptojnë sesi këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, qofshin ushtarakë apo civilë, shpërfillin ende ligjet e shtetit shqiptar dhe nuk paraqiten në gjyq. Sipas tyre, tragjedia ende po vazhdon dhe shteti nuk merr asnjë masë për mbarëvajtjen e një procesi të rregullt ligjor. Familjarët e viktimave kërkojnë vetëm drejtësi, asgjë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›