Pranga shpërndarësit me 30 doza heroinë
Tridhjetë doza heroinë janë bllokuar nga policia e kryeqytetit pasditen e djeshme, ndërkohë që në pranga ka përfunduar poseduesi i tyre. Droga u bllokua gjatë një aksioni, kur një 30-vjeçar ishte përgatitur për t‘i shpërndarë te disa përdorues pranë urës te shkolla "Vasil Shanto". Sipas të dhënave zyrtare, nga policia e Tiranës, specialistët e seksionit të luftës kundër drogës kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Altin Agja Nexhipi, 30 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë. Në rrugën "Sulejman Delvina", pranë urës "Vasil Shanto", këtij shtetasi i është kapur në flagrancë gjatë kontrollit fizik të ushtruar, një qese farmacie brenda të cilës ndodheshin 30 doza me sasi pluhuri me ngjyrë bezhë, e dyshuar heroinë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia prej 15.7 gramësh e kësaj lënde të dyshuar si heroinë, 7100 lekë, 20 euro dhe 20 dollarë. Materialet i kaluan prokurorisë, për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike".