Peticioni kundër Mediut, firma edhe nga familjarët e viktimave
Nisma e një grupi gazetarësh dhe analistësh për të firmosur një peticion kundër Fatmir Mediut në qeverinë e re është firmosur dje pas mbarimit të seancës gjyqësore të Gërdecit nga familjarët e viktimave. Të gjithë së bashku kanë shkruar emrin dhe firmën në listën që iu servir nga aktivistë të lëvizjes "Mjaft!", të cilët asistonin pranë Gjykatës së Tiranës. Njëri prej aktivistëve tha për mediat e pranishme se Kryeministri Berisha duhet të largojë urgjentisht ish-ministrin e Mbrojtjes nga qeveria e re, pasi nuk është e moralshme që ai të ulet në karrigen e ministrit. Gjithashtu reaguan edhe familjarët e viktimave të tragjedisë, të cilët kërkuan nga Kryeministri që të "ngrijë" Mediun deri në përfundimin e procesit gjyqësor. "Nëse Fatmir Mediu shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Lartë për tragjedinë, atëherë ai mund të emërohet në çfarëdo posti shtetëror. Por nuk ka asnjë moral për ne që një i akuzuar për tragjedinë të marrë një post ministri", thotë Feruz Durdaj.