E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet rrugore në Veri të vendit, plagosen tetë persona



Dy aksidente automobilistike të ndodhura vonë në mbrëmje në Kukës e Tropojë kanë shkaktuar 8 të plagosur rëndë. Mësohet se një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e vona të natës së kaluar në afërsi të doganës së Morinit të rrethit të Kukësit, kur një automjet tip “Opel Vektra” me targa të Kosovës është përplasur me një makinë asfaltimi duke shkaktuar plagosjen e rëndë të 4 personave. Sipas burimeve policore, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 22:00 të natës së kaluar, kur një mjet me targa të Kosovës është përplasur me një makinë asfaltimi duke u shkatërruar thuajse plotësisht. Po të njëjtat burime saktësuan se si pasojë janë plagosur shtetasit Shukri Gashi, 38 vjeç, Shyrete Gashi, 37 vjeç, si dhe dy fëmijët e tyre të mitur. Pak orë para këtij aksidenti, një tjetër aksident është shënuar në afërsi të fshatit Sopot të rrethit të Tropojës me pasojë plagosjen e rëndë të 4 personave. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se si rrjedhojë e përplasjes së dy mjeteve në afërsi të fshatit Sopot të rrethit të Tropojës janë plagosur rëndë shtetasit Nushe Kovacica, 65 vjeç, Sadri Kërtoçi, 59 vjeç, Admir Kërtoçi, 28 vjeç dhe Agrim Kërtoçi, 26 vjeç. Të njëjtat burime saktësuan se të plagosurit, pas marrjes së ndihmës mjekësore në Spitalin civil të qytetit të Bajram Currit, janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, sipas hetimeve paraprake, rezulton se aksidenti ka ndodhur për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga të dyja mjetet, gjë që e tregon edhe fakti se të dy mjetet thuajse janë shkatërruar tërësisht.

Zjarr prej 72 orësh në Orosh, në flakë 50 hektarë pisha

Mirditë - Një zjarr i madh ka përfshirë rreth 50 ha me pisha në zonën me bimësi të dendur në Orosh të Mirditës. Zjarri, i cili ka rënë që prej tri ditësh, ende nuk po arrihet të vihet në kontroll. Madje era e fortë ka bërë që ai të shpërndahet rrezikshëm në afro 50 hektarë pyje pishe në zonën e Oroshit duke iu afruar tashmë në vetëm pak metra pyjeve të pjesës bjeshkore, e cilësuar si zonë e mbrojtur. Mbrëmjen e djeshme u dërguan në vendngjarje forca xheniere të ushtrisë pas alarmit që kanë vënë banorët për të shpëtuar banesat që po rrezikohen të digjen. Në jo pak raste, në terrene të thyera, forcat xheniere dhe ata të pyjore kanë rrezikuar dhe jetët e tyre. Përhapja më tej e flakëve të zjarrit mund të rrezikojë edhe disa shtëpi të lagjes “Zajs”, si dhe disa lagje të Oroshit qendër. Drejtuesi i komunës Orosh, Aleksandër Lala, dhe drejtori i Shërbimit Pyjor, Lek Marndrea, kanë apeluar që situata të merret në kontroll nga emergjencat civile shtetërore dhe të krijohet dhe mundësia e ndihmës nga ajri, pasi zjarri i rënë dhe i përhapur mund të cilësohet ndër më të mëdhatë të rënë ndonjëherë në vend. Ndërkohë që dhjetëra forca po përballen me shuarjen e zjarrit, antikrimi ekonomik i drejtorisë së policisë të qarkut Lezhë po gjurmon zjarrvënësit.

17 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›