Atentatori i Lul Berishës: “Më mbani në Itali, atje duan të më vrasin”
Kristian Begu, një ndër personat që kanë organizuar atentate ndaj “të fortit” të Durrësit, Lulzim Berisha, kërkoi të premten pranë një gjykate italiane anulimin e urdhrit për ekstradimin e tij në Shqipëri. Kristian Begu ndodhet aktualisht në burg në Itali, i arrestuar për llogari të autoriteteve shqiptare, që e akuzojnë atë për “tentativë vrasje” dhe “pjesëmarrje në organizata të strukturuara kriminale”. Në vitin 2005 Kristian Begu, atëherë 29-vjeçar, u akuzua nga Prokuroria shqiptare se organizoi një pritë për vrasjen e Lulzim Berishës, mision i cili nuk doli me sukses, pasi komploti u zbulua. Të premten, përmes avokatëve të tij italianë, ka kërkuar azilin politik në Itali, pasi po u kthye në atdhe mund ta vrasin: “Kam frikë, – tregon për mediat italiane, - rrezikoj jetën. Prandaj nuk mund të kthehem në Shqipëri”. Sipas mediave italiane, shpresa e vetme e Begut është që dikush të besojë në fjalët dhe frikën e tij për t’i dhënë azil politik në Itali. Për momentin Begu është vetëm një i burgosur i akuzuar për tentativë vrasjeje.
Historia
Kristian Begu, sot 33-vjeçar, rezulton i përfshirë në luftën e pamëshirshme midis dy klaneve rivale shqiptare: njëri i udhëhequr nga Endrit Dokle dhe tjetri nga Lulzim Berisha. Dy grupet akuzohen nga Prokuroria shqiptare se kanë luftuar prej vitesh për kontrollin e aktiviteteve të paligjshme në të gjithë tokën shqiptare. Më 26 shkurt 2005, në Durrës, pjesëtarët e klanit të Berishës ngacmohen me disa elementë të klanit të Dokles, që kuptojnë se nuk është rasti për të qëndruar me duar të lidhura dhe përgatisin kundërsulmin. Detyra e hakmarrjes i besohet Kristian Begut, i cili merr paratë e nevojshme për të organizuar pritën më 5 prill ndaj Lulzim Berishës. Por diçka shkoi keq, ndërhyn policia dhe Begu detyrohet të arratiset. Ai vazhdoi të fshihet në Shqipëri për disa muaj, derisa mbërrin në Itali. Në mars të këtij viti, Gjykata e Tiranës nxori një mandat arresti ndërkombëtar kundrejt tij. Si pasojë e këtij mandati Kristian Begu u kap përtej Adriatikut teksa fshihej në Torino. Tani ai ndodhet në burgun e Alessandrias, por duket nuk ka ndër mend të dorëzohet lehtë.
Precedenti
Një rast i ngjashëm me të Begut ndodhi tri ditë më parë me një tjetër të kërkuar në Shqipëri, Rustem Nezën, i cili strehohet në SHBA. Zyra e Emigracionit në Shtetet e Bashkuara vendosi të mbajë në SHBA azilantin shqiptar Rustem Neza, për të cilin deri në këtë moment ishte vendosur deportimi në Shqipëri. Avokati i tij, Xhon Gibson, tha se një gjykatë në SHBA rrëzoi urdhrin për deportimin e tij pas një incidenti që ndodhi me Nezën në SHBA në vitin 2007, kur Zyra për Emigracionin vendosi deportimin e tij. Gjatë kohës që agjentët po ekzekutonin urdhrin për deportimin e Nezës në Shqipëri, Neza nisi të shfaqte shenja ankthi në aeroport dhe agjentët pezulluan dërgimin e tij. E ka quajtur veten si një nga dëshmitarët e vrasjes të cilësuar si vrasja e shekullit. "Nëse kthehem në Shqipëri do të më vrasin, pasi unë jam dëshmitar në vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari", - pohonte emigranti shqiptar në SHBA, Rustem Neza. Sipas një gazete të përditshme, "The Dallas Morning Neës", Rustem Neza, një refugjat shqiptar që ka bërtitur me zë të lartë gjatë deportimit kur piloti në Dallas ka refuzuar që ta lërë atë në bord sepse shpresonte se Zyrës së Emigracionit do t'i ndryshonte mendja dhe do t'i jepte atij një shans për të qëndruar në këtë vend.
Aktakuza: Kristin Begu organizoi kurthin për vrasjen e Lulzim Berishës
“I pandehuri Endrit Dokle përgatiti planin kriminal duke përdorur vrasës me pagesë, të cilët i rekrutoi në organizatë. Rekrutimi i këtyre shtetasve u bë me ndihmën e anëtarit të organizatës, të pandehurit Altin Olloni, i cili gjeti si persona të përshtatshëm të pandehurit Alban Neli e Elvis Hoxhosmani nga rrethi i Burrelit, kundrejt një shpërblimi prej njëqind mijë eurosh. Duke marrë në konsiderate faktin që të pandehurit Alban Neli e Elvis Hoxhosmani nuk i njihnin rrugët e qytetit të Durrësit, ata kërkuan një person që t'i ndihmonte duke drejtuar mjetin. Për të rekrutuar këtë person të pandehurit Endrit Dokle dhe Adriatik Coli bënë një plan kriminal së bashku me të pandehurin Kristian Begu. Ky i fundit fillimisht pranoi që ta drejtonte vetë mjetin e krimit, por duke marrë parasysh që ai njihej në qytetin e Durrësit, i pandehuri Endrit Dokle i kërkoi që të gjente një person tjetër kundrejt shpërblimit prej njëzet mijë eurosh që të drejtonte mjetin e krimit. I pandehuri Kristian Begu e bisedon me të pandehurin Altin Nikolla, i cili pranoi që të merrte pjesë në vrasje, duke drejtuar mjetin tip "Pasat" me dy persona që do të kryenin vrasjen e Lulzim Berishës kundrejt shpërblimit njëzet mijë euro. Më datë 05.04.2005, të tre të pandehurit; Alban Neli, Elvis Hoxhosmani të armatosur me 4 armë zjarri, 2 pistoleta dhe dy armë automatike dhe i pandehuri Altin Nikolla në rolin e drejtuesit të mjetit, kanë lëvizur në qytetin e Durrësit duke ndjekur shtetasin Lulzim Berisha me qëllim vrasjen e tij. Kjo vrasje nuk u bë e mundur të realizohej, por ngeli në tentativë, pasi një polic qarkullimi në qytetin e Durrësit, rreth orës 13:00 në Lagjen Nr. 4 të qytetit ka bërë bllokimin e autoveturës tip ‘Pasat’ me targa SË 04135, që drejtohej nga i pandehuri Altin Nikolla dhe mbrapa, në sedilje ndodheshin të pandehurit Alban Neli e Elvis Hoxhosmani. Pas bllokimit të autoveturës të pandehurit e kanë braktisur atë dhe janë larguar me shpejtësi, duke lënë në makinë 4 armët e zjarrit. Pas kësaj tentative të dështuar, i pandehuri Endrit Dokle, në bashkëpunim me Adriatik Colin dhe Altin Ollonin, përdoren si vrasës me pagesë në drejtim të Lulzim Berishës të pandehurit Selman Heti dhe Elvin Hoxhosmani nga Burreli, duke iu premtuar shumën prej 150 mijë eurosh. I pandehuri Elvin Hoxhosmani vëzhgonte për një periudhë kohë lëvizjet e të pandehurit Lulzim Berisha. Pas sinjalizimit të dhënë nga Elvini, i pandehuri Selman Hetin, me datë 05.05.2005, rreth orës 12:00, i afrohet nga afër shtetasit Lulzim Berisha, duke përfituar se nuk njihej prej tij dhe e qëllon me pistoletë. Si pasojë, ngelen të plagosur shtetasit Lulzim Berisha, Isuf Morina dhe Ram Haxhiaj. Me qëllim për të eliminuar me çdo kusht të pandehurin Lulzim Berisha, i pandehuri Endrit Dokle, me ndihmën e të pandehurit Kujtim Buna, është lidhur me dy shtetas kosovarë, të cilët kanë trafikuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin armë zjarri kundërtank në disa raste”.
Shkëputur nga aktakuza e Prokurorisë
17 Gusht 2009