Aksidentet rrugore, vdes një i ri, dy të tjerë në gjendje të rëndë
Tre aksidente automobilistike të ndodhura brenda pak orëve kanë marrë jetën e një personi, ndërkohë që tre të tjerë janë në gjendje kritike për jetën. Dje në mbrëmje, në aksin rrugor Gramsh-Prakalli, një BMW me targa greke KOK 3839, që drejtohej nga Agim Papri, 32 vjeç, ka dalë jashtë rruge, pasi është përplasur me një kazan plehrash. Për pasojë ka mbetur i vdekur pasagjeri i tij, Alfred Deda, 29 vjeç, ndërsa i riu nga fshati Pishaj, ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin kirurgjikal të Elbasanit. Ndërkaq, dje, në orët e para të ditës, një 22-vjeçar nga Xarra i Sarandës është aksidentuar rëndë gjatë udhëtimit me motoçikletën e tij. Pas mbërritjes në gjendje kome në urgjencën e Sarandës, ai është transportuar me helikopter drejt Tiranës, në situatë kritike për jetën. Aksidenti i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Mursi-Xarrë. I riu ka qenë duke udhëtuar mbi varrezat publike të fshatit Mursi. Si pasojë e shpejtësisë së madhe, me të cilën udhëtonte 22-vjeçari, Alqi Isaj, banor i fshatit Xarrë, ai ka dalë nga rruga dhe për rrjedhojë është përplasur me murin rrethues të varrezave. Kalimtarë të rastit e kanë gjetur atë pa ndjenja, pas disa orësh. Në spitalin e Sarandës është transportuar në gjendje kome. Pas ndihmës së parë të dhënë në spital rreth orës 07:30 të mëngjesit i plagosuri është transportuar me helikopter për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Burime spitalore thanë se gjendja e të riut Alqi Isaj është kritike për jetën. Mjekët thanë se nga përplasja me murin ai ka marrë goditje të rënda, kryesisht në kokë, dhe ka pësuar thyerje të gjymtyrëve. Ndërsa në Elbasan një emigrant, ndërsa ka bërë një "qokë" te të afërmit, ka përfunduar i aksidentuar rëndë në Spitalin Ushtarak. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të së premtes në një fshat rreth 40 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se ka filluar çështja penale në gjendje të lirë në ngarkim të 48-vjeçarit Ismail Daullja, banues në fshatin Rrasë të Rrethit të Elbasanit. I njëjti burim konfirmon se procedimi ndaj tij filloi, pasi në fshatin Çepë, të Komunës Fiereze, Elbasan, duke drejtuar mjetin "Renault", me targa INP-3983, ka dalë nga rruga, duke u vetaksidentuar. I dëmtuari u dërgua në spitalin kirurgjik të Elbasanit, por, duke parë gjendjen e rëndë të tij u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë për mjekim më të specializuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".