E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Italia i dënuari për prostitucion

Ekstradohet nga Italia një i dënuar me 12 vjet burg për prostitucion. Burime nga Policia e Lushnjës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së premtes është bërë riatdhesimi i Kastriot Frashërit, i cili kërkohej që prej pesë vjetësh. 41-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Rrethit të Lushnjës me 12 vjet burg për veprën penale të "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese në bashkëpunim". Dënimi është marrë 5 vjet më parë. Që nga ajo kohë, ai ka qenë i shpallur në kërkim dhe është vënë në pranga në Itali për t‘u riatdhesuar mbrëmjen e së premtes, për t‘u çuar më pas në burgun 302 të Tiranës.

Burime nga Policia e Lushnjës pohojnë për "Shqip" se ky shtetas ka qenë dhe më parë i dënuar për veprat penale të "marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç", "kanosjes", "mbajtjes së armëve luftarake" dhe të "shtrëngimit ose pengimit për të bashkëjetuar ose zgjidhur martesën". Vepra e fundit penale është shënuar gjatë viteve 2000-2003, kur ai, në bashkëpunim me një banor të Lushnjës, kanë detyruar një vajzë nga fshatrat e Lushnjës me inicialet E.Zh që të ushtrojë prostitucion për tre vjet në rrugët dhe lokalet e Italisë. E dëmtuara, pasi ka gjetur mundësinë të kthehet në vendlindje, ka kryer kallëzimin penal dhe ka denoncuar tutorin e saj. Ndaj 41-vjeçarit pas gjykimit në mungesë, është dhënë dënimi i formës së prerë prej 12 vjetësh burgim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›