E Diel, 1 Nëntor 2026

Javën e fundit, 30 mijë turistë

Ndërkohë që sezoni turistik i kësaj vere është në kulmin e vet në Sarandë, burime zyrtare nga bashkia thonë se qysh tani është arritur kuota e 300 mijë turistëve, aq sa ishte shifra zyrtare e sezonit 2008. Sipas tyre, vetëm java që po lëmë pas, e ka shtuar me 30 mijë numrin e atyre që zgjodhën Sarandën për të pushuar.

Ajo që vihet re këtë verë është jo vetëm zgjedhja e Sarandës nga më shumë pushues, por edhe monitorimi më ritmik e më profesional që i bëhet ecurisë së sezonit nga Drejtoria e Turizmit në Bashkinë e Sarandës. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë e Sarandës, Aristotel Bita, maqedonasit dhe kosovarët përfaqësojnë pjesën dërmuese të turistëve të verës së sivjetme. Ndërkohë, drejtori Bita pohon se ka ardhur duke u bërë edhe më bindëse risia e frekuentimit të Sarandës dhe ofertës së saj turistike nga turistë të ardhur nga Greqia, ndërkohë që në shtetin fqinj është publikuar dhe pranuar një rënie e ndjeshme në fushën e turizmit. Shifrat e fundit nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës raportonin për një fluks në rritje të turistëve të huaj në vendin tonë. Në shtatë muajt e parë të vitit 2009, mësohet të kenë hyrë rreth 1 milion turistë të huaj, ku kosovarët zënë vendin e parë me rreth 37 për qind, e më pas Mali i Zi dhe Maqedonia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›