E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërtimi xhiron 126 miliardë lekë

Edhe pse në një situatë të vështirë ekonomike si ajo e vitit 2008, sektori i ndërtimit ka mundur të xhirojë rreth 126 miliardë lekë të reja, duke mundësuar një rritje të kontributit në PBB, me afro 14 për qind. Pjesa dërrmuese e kësaj xhiroje të madhe i kushtohet firmave që merren me ndërtim rrugësh si dhe fabrikave të prodhimit të çimentos. Edhe në këtë situatë, rritja e aktivitetit i referohet punimeve në rrugën Durrës-Kukës, ndaj së cilës qeveria kishte vënë në dispozicion rreth 35 miliardë lekë për vitin 2008. Duke e krahasuar me vitin 2007, sektori i ndërtimit për nga xhiroja e aktivitetit shënon rritje me rreth 6.5 për qind.

Nga të dhënat zyrtare mësohet se firmat shqiptare kanë mundur të xhirojnë rreth 80 miliardë lekë të ardhura, kurse pjesa e mbetur u mbetet të huajve, kryesisht kompanisë së Rrëshen-Kalimashit, "Bechtel & Enkës".

Aktivet i ndërtimit u duk se pa rritje pas zhbllokimit të KRT-ve për plane urbanistike dhe leje ndërtimi, por në fakt situata ndryshoi. Me shtrëngimin e kredive nga sektori bankar, individët dhe firmat private patën më pak likuiditete, duke ndikuar në shitjet në ndërtim. Situata me lejet vazhdon të jetë disi e bllokuar, për shkak edhe të hapësirave të vogla (Tirana), ndërsa pjesa tjetër e ndërtuesve që merren me rrugë dhe objekte të tjera publike (shkolla, spitale, etj.), janë ndjerë më të lehtësuar, për shkak se qeveria vuri në dispozicion të investimeve rreth 95 miliardë lekë, gjithnjë për vitin 2008.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›