Mbi 200 milionë USD investime më tepër
Si asnjëherë, qeveria arrin të shpenzojë mbi 200 milionë dollarë më tepër se viti i kaluar për investime publike, ose rreth 63 për qind më shumë. Megjithatë, sipas planit, investimet në total janë realizuar në masën 97 për qind, si 7-mujor. Brenda këtyre shpenzimeve, investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 99.92 për qind me një mosrealizim prej 37 milionë lekësh, ndërkohë që investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 83.36 për qind të parashikimit të periudhës ose me një mosrealizim prej rreth 1.7 miliardë lekësh. Krahasuar me vitin e kaluar, investimet e brendshme rezultojnë rreth 34.5 miliardë lekë më të rritura, ndërkohë që investimet me financim të huaj rezultojnë rreth 12.7 miliardë lekë më të ulëta ose rreth 60 për qind më pak. Sipas Ministrisë së Financave, kjo rritje në raport me vitin e kaluar është kryesisht për shkak të vazhdimit të punimeve në rrugën Rrëshen-Kalimash që këtë vit financohet nga burimet e brendshme.