E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet shkaktojnë tre persona të plagosur

Aksidentet rrugore në Tiranë kanë shënuar dje tre të plagosur, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore dërgoi për ndjekje penale në gjendje të lirë Arjana Durbakun, 41 vjeçe, sepse në orën 14:30, në Rrugën e Elbasanit, duke drejtuar mjetin "Ford", me targa TR 9963 L, ka aksidentuar Gjyle Merallën, 60 vjeçe. E dëmtuara ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa në orën 08:00 të mëngjesit, në Rinas, një motor i paidentifikuar ka aksidentuar këmbësorin Dhimitër Shqahu, 56 vjeç, banues në Shkozë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se autori është larguar me shpejtësi dhe mendohet se është banor i zonës. Aktualisht po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Policia shtoi se filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për shtetasin Bujar Petrit Gjyzeli, 50 vjeç. Ky person, rreth orës 12:50, në Kombinat, duke drejtuar motorin Yamaha, me targë TR 7 A 13, ka dalë nga rruga e për pasojë është aksidentuar pasagjeri Petrit Mataj, 57 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›