Aksidentet, tre të vdekur dhe 3 të plagosur
Tre persona të vdekur dhe tre të tjerë të plagosur ishte bilanci i aksidenteve të rënda që ndodhën dje në Vlorë, Korçë dhe Kurbin. Rreth orës 19:00, në rrugën transballkanike në Vlorë u aksidentua një 65- vjeçar që vinte për pushime. Sipas policisë, makina me targë TR 3996 S, e tipit ‘Chevolet’ ka qëlluar për vdekje 65- vjeçarin nga Fieri Petraq Zarka. Ai po kalonte rrugën me gruan e tij, kur mjeti që vinte me shpejtësi e ka përplasur atë për vdekje. Aksident tjetër me vdekje ndodhi dje kur një kalimtar në rrugën nacionale Ersekë-Korçë u përplas me një automjet. Ngjarja ndodhi në orët e mëngjesit kur 42- vjeçari Adriatik Gallo nga fshati Barc i Korçës u përplas rëndë ndërsa udhëtonte me biçikletë. Burime të policisë që hetuan ngjarjen thanë se viktima u gjet nga kalimtarët, ndërsa drejtuesi i mjetit është larguar. Ndërkohë, dy aksidente u shënuan në aksin Tiranë – Laç, ku një person humbi jetën dhe tre të tjetër u plagosën. Një mjet u përplas me një trajler me targa KR 5932A në hyrje të Fushë Kujës në superstradë. Viktima ndodhej në automjetin e vogël “Fiat Seat’ me targa 50 KS 064, ndërsa dy të plagosurit ndodheshin në trajler. Po dje, rreth orës 04:00, një bot nafte doli nga rruga duke plagosur shoferin e saj. Për fat të mirë, si pasojë e përplasjes, boti nuk ka shpërthyer.