E Diel, 1 Nëntor 2026

Gardiani i burgut të Burrelit: Si u shpërthyen qelitë nga të dënuarit natën e 2 gushtit 1967



Afrim Imaj

Burgu i Burrelit, i njohur ndryshe si ferri i të dënuarve politikë, është thyer një herë. Fakti i panjohur në vitet e diktaturës është bërë i ditur shumë kohë më vonë. Kur flet për atë që ka ndodhur natën e 2 gushtit ‘67, Ismal K. njëri nga gardianët e repartit të sigurisë së lartë, mundohet ta përshkruajë në vija të përgjithshme. “Aventura e tre të dënuarve që shpërthyen burgun zgjati vetëm një orë. Njëri prej tyre u vra te porta. Dy të tjerët u kapën jashtë telave dhe u dënuan me vdekje”. Pas këtij raporti telegrafik, ish-gardiani heziton për t’u futur në detaje, duke u justifikuar me vjetërsinë e ngjarjes dhe kujtesën jo fort të besueshme për moshën që ka. Nga mënyra si shprehet, lë të kuptohet se për më tepër ka nevojë për një pakt mirëbesimi, së paku për t’i ruajtur identitetin. Kur sigurohet për këtë, njeriu që i ka parë me sy skenat e tmerrshme të natës së 2 gushtit ‘67, nis të rrëfejë shtruar. “Thyerja e burgut nga dyert, - kujton ai, - ndodhi kur prisnim arratisjen nga tuneli. Tre të dënuarit më të rrezikshëm, Sazan Hadëri, Theodhori Gërnjoti e Adem Allçi bënë realitet të pabesueshmen”. Pastaj Ismail K. duke u ndalur në kronikën e ngjarjes, veçon një episod nga epilogu i saj. “Në fund të operacionit, - shprehet ish- gardiani, - duke kontrolluar dhomën e të arratisurve, gjeta një letër që Sazan Hadëri ia adresonte të bijës një vjeçe në formë amaneti. Po shkoj drejt vdekjes, shkruante ai, po shpëtova të parën do të shpëtoj ty... “.
Zoti Ismail! Në burgun e Burrelit, më i tmerrshmi dhe më i sigurti për kohën e komunizmit, ka ndodhur një arratisje spektakolare. Atë natë ju keni qenë me shërbim...
Në fakt atë natë nuk kam qenë në repart, por sa më lajmëruan shkova për pesë minuta. Kur u paraqita mora vesh gjithçka.
Mënyra si ishte thyer burgu, ishte e pabesueshme. Kur prisnim një arratisje nëntokësore nëpërmjet një tuneli të hapur nga të dënuarit, thyerja kishte ardhur nga lart, nga tarraca ku në çdo pëllëmbë kishte nga një roje. Organizatorë ishin tre nga të dënuarit që njiheshin si më të rrezikshmit. Më herët, në rrugë operative kishim siguruar të dhëna për aventurën e tyre. Sidoqoftë, në asnjë rast nuk paramendohej një marrëzi si ajo e natës së 2 gushtit...
Në çfarë rrethanash ndodhi arratisja e tre të dënuarve?
Ngjarja ndodhi në kohën kur bëhej apeli i mbrëmjes. Në mos gaboj, diku rreth orës 19:30. Ishte natë e nxehtë gushti. E papritura shpërtheu në dhomën 7, ku ishin 28 të burgosur. Fillimisht si një kacafytje midis dy të dënuarve me oficerin e rojës. Pastaj një përballje e rrezikshme me grushte, shkelma e breshëri armësh. Dyluftimi vazhdoi për çaste të tëra. Gjatë gjithë kohës me sirenat e alarmit dhe breshëritë e pashkëputura. Asnjëherë nuk kishte ndodhur një situatë e tillë. Ishte ky rasti i parë që thyhej burgu i Burrelit. Unë për vete nuk dija ndonjë rast tjetër. Gjithsesi, gjendja kritike nuk zgjati më shumë se dy orë.
Ju thoni se nisi si kacafytje me oficerin e rojës. Ishte diçka spontane kjo, apo e menduar më herët nga të burgosurit?
Kacafytja u provokua nga të dënuarit, më saktë nga disa prej tyre. Kishim pasur edhe herë të tjera përplasje me të burgosurit për arsye nga më të ndryshmet, por në rastin e 2 gushtit të ’67-ës, përballja e nisur prej tyre, me sa u vërtetua ishte e paramenduar. Që aty niste sprova për të thyer burgun e për t’u arratisur. Gjithçka ishte planifikuar sipas një strategjie të organizuar, bile deri në detaje...
çfarë ndodhi konkretisht mbrëmjen e 2 gushtit ‘67 në dhomën 7 të burgut të Burrelit?
Atë natë, sipas urdhrit të ditës, shkuan aty për të bërë apelin e mbrëmjes nënoficerët Ymer Lena dhe Hamit Laçi. Në pritje të ritualit të zakonshëm, ku njëri prej tyre thërriste emrat e të dënuarve dhe tjetri konfirmonte prezencën e tyre pas përgjigjeve “këtu”, Sazan Hadëri, njëri nga të burgosurit që kishte ardhur nga burgu i Laçit, i kërkoi leje Hamit Laçit për t’i dhënë një letër proteste. Sakaq, doli nga rreshti dhe ia zgjati në dorë. Kur ky filloi të lexojë, plasi përleshja. I pari doli nga rreshti Dhori Gërnjoti dhe me një breshëri grushtesh e hodhi në tokë pa frymë nënoficerin që lexonte letrën. Një tjetër i dënuar, Adem Allçi, sulmoi kapterin tjetër deri sa e la pa ndjenja. Ky ishte momenti ku situata në dhomën 7 doli nga kontrolli...
Pra, gardianët ranë në kurthin e të dënuarve. çfarë ndodhi më tej?
Në çastin që gardianët e shërbimit mbetën pa ndjenja, të dënuarit i lidhën me çarçaf dhe u mbyllën gojën. Tre organizatorët, Sazan Hadëri, Dhori Gërnjoti dhe Adem Allçi u morën çelësat e portës së jashtme dhe pasi u bënë thirrje të tjerëve për t’i ndjekur, u larguan me shpejtësi. Sa dolën në tarracë u hodhën në oborr dhe prej aty tentuan të kalonin telat e rrethimit të jashtëm. Madje duhet thënë se i kaluan...
Deri te ky çast nuk pati ndonjë reagim nga personeli i sigurisë? Nuk funksionoi sistemi i alarmit?
Për aq kohë sa të dënuarit u përballën drejtpërdrejt me dy gardianët që lanë pa ndjenja në dhomë, pjesa tjetër e trupës së sigurisë nuk mori vesh gjë. Sinjali i alarmit u dha kur të dënuarit dolën në tarracë. Sa i dalloi roja i parë, menjëherë ia shkrepi me breshëri automatiku. Pas kësaj u ngritën të gjithë në këmbë sipas detyrave speciale që kishin për raste të tilla...
Po dy nënoficerët që bënin apelin e mbrëmjes, nuk kishin mundësi të qëllonin me armë?
Ata nuk kishin armë me vete. Shërbimet brenda mjediseve të burgut, sipas rregullores së brendshme, e ndalonin kategorikisht një gjë të tillë. Në të gjitha rastet, personeli që ndiqte zbatimin e orarit të veprimeve, ishte parashikuar i paarmatosur. Skema e sigurisë funksiononte mbi bazën e një truproje të përforcuar, që mbulonte “non stop” çdo pëllëmbë të mjediseve të jashtme. Pjesëtarët e saj ishin të armatosur deri në dhëmbë dhe kishin të drejtë të qëllonin pa paralajmërim.
Të rikthehemi te ngjarja e 2 gushtit ‘67. Tre të dënuarit pasi lidhën dy nënoficerët e shërbimit, dolën në tarracë e prej aty u hodhën në oborr, duke tentuar të kalonin rrethimin me tela. Si ishte reagimi i rojeve të shërbimit?
Në momentin e parë duhet thënë se ata u kapën në befasi, por më pas kundërvepruan menjëherë. I pari hapi zjarr ushtari i vendrojës, që ishte në krahun e djathtë të tarracës. Breshëritë e tij lëshuan përtokë Sazan Hadërin, kur bëhej gati të hidhej në oborr. Prej aty ra si gur në tokë. Dy të tjerët mundën të shpëtojnë. Arritën të kalojnë rrethimin me tela dhe u futën në parcelën me rrush. Dhori i plagosur u fsheh mes gëmushave. E kapëm pas gjysmë ore. Ademin pak më vonë.
Kjo padyshim, ishte një ngjarje e rëndë për personelin e burgut. Si u vlerësua nga organet eprore dhe a pati ndëshkime për punonjës të veçantë?
Mbaj mend që menjëherë pas asaj që ndodhi mbrëmjen e 2 gushtit, u bënë një mori analizash. E para nisi që atë natë me praninë e ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, i cili mbërriti aty me helikopter. Ai qortoi rëndë drejtorin e burgut Qamil Kola dhe shefin e sigurimit. “Vigjilenca zero!” Vetëm këto fjalë tha ai dhe u largua i revoltuar. Më vonë ngjarja u bë objekt i diskutimeve në çdo sektor. Pati masa ndëshkuese, sipas përgjegjësive përkatëse. Po pati edhe shpërblime. Kryesisht u shpërblyen ata që hapën zjarr të parët. Ushtari që qëlloi Sazanin shkoi me leje 20 ditë pranë familjes...
Kishit më parë të dhëna, qoftë edhe në rrugë operative për atë që ndodhi mbrëmjen e 2 gushtit? Po tre protagonistët e ngjarjes kishin shfaqur më parë tentativa për arrati nga vendi i dënimit?
Unë kam qenë punonjës i zakonshëm, një gardian i thjeshtë dhe si i tillë nuk mund të dija gjëra të tjera përtej detyrës. Kishte struktura të posaçme për thithjen e informacioneve operative. Ato operonin në rrugë të fshehtë me bashkëpunëtorët e tyre nga radhët e të dënuarve. Në rastin konkret, diçka nuk funksionoi në rregull. Ca më tepër, siç u vlerësua asokohe, njëri prej të dënuarve, Sazani, kishte pasur një precedent të tillë. Dy muaj më parë ishte arratisur nga burgu i Laçit dhe ishte kapur pas një jave. Ndërkaq, dy të tjerët, Dhori me Ademin, njiheshin si dy të burgosurit më të rrezikshëm. Analizat maratonë nxorën pastaj edhe një sërë problemesh të tjera.
Po për nënoficerët Ymer Lena dhe Hamit Laçi, çfarë u tha gjatë shqyrtimit të ngjarjes së 2 gushtit?
Fillimisht ata iu nënshtruan një mjekimi intensiv, pasi kishin pësuar dëmtime të rënda nga goditjet e të dënuarve. Padyshim që morën masa disiplinore. Nuk më kujtohet si u operua konkretisht me ta, por me sa mbaj mend ngjarja i kishte tronditur shumë. Në procesin që u hap më vonë për dy të arratisurit nga burgu, Ymeri me Hamitin ishin dy dëshmitarët kryesorë.
Sa u ridënuan dy të arratisurit nga burgu i Burrelit?
Gjykata e Peshkopisë i dënoi me pushkatim. Po kështu edhe Gjykata e Lartë. Më vonë mësova se Presidiumi i Kuvendit Popullor ua fali jetën, duke i ridënuar me 25 vite burg.
Po më vonë a pati tentativa të tjera për t’u arratisur nga burgu i e Burrelit?
Sa kam qenë unë me shërbim aty, nuk mbaj mend ndonjë rast të dytë. Mënyra si u reagua pas asaj që ndodhi, prodhoi një terror të vërtetë. U terrorizuan të dënuarit, duke i kujtuar se çdo tentativë për t’u arratisur do ketë fatin e Sazanit. U terrorizuan sakaq edhe punonjësit. Ndëshkimet e rënda me rastin e ngjarjes së 2 gushtit krijuan një klimë paniku në radhët e tyre. Burreli pas bujës së asaj që ndodhi, u bë i pakapërcyeshëm...

vijon nesër...

Gjykata: Të arratisurit nga burgu, plumbin e kanë pak

Plumbat për të arratisurit e natës së 2 gushtit ‘67 janë pak! Pak a shumë ky është thelbi i vendimit të Gjykatës së Lartë në shqyrtim të kërkesës së dy të dënuarve me vdekje për veprën e terrorit se thyen burgun e Burrelit. Plot dhjetë ditë pas verdiktit fatal të Gjykatës së Peshkopisë, organi më i lartë i gjyqësorit shpërfill hapur lutjet e tyre për t’ua falur jetën dhe “blindon” arsyet pse duhen zhdukur sa më parë dy armiqtë e betuar. “Dy të gjykuarit, - thuhet në dokumentin me firmën e Aranit çelës, - megjithëse të rinj në moshë, me krimin e kryer natën e 2 gushtit ’67 (vepër terroriste dhe tentativë tradhtie karshi atdheut), meritojnë dënim më të rëndë nga sa parashikon ligji. (Përtej dënimit me vdekje, ç’mund të kishte tjetër). Ata nuk japin shpresë për një ndëshkim më të butë se ai me vdekje.” Njëherazi me këtë argument në mbështetje të vendimit të Gjykatës së Peshkopisë, në rishqyrtimin e çështjes nga Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të datës 31 gusht ‘67, risillet edhe njëherë çast pas çasti ajo që ndodhi natën e 2 gushtit ‘67 në burgun e Burrelit.

Vendim
“Në emër të popullit” Këshilli gjyqësor i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, në seancën e datës 31 gusht 1967 mori në shqyrtim çështjen penale ndaj të gjykuarve Adem Allçi e Theodhori Gërnjoti, të akuzuar se kanë kryer vepra terroriste kundër përfaqësuesve të pushtetit popullor dhe kanë tentuar të arratisen jashtë shtetit.
Me vendimin nr.13 të datës 19 gusht 1967, Gjykata e qarkut të Tiranës, dega e Peshkopisë, i ka deklaruar fajtorë dhe i ka dënuar me vdekje (pushkatim). Kundër këtij vendimi janë ankuar Adem Allçi dhe Theodhori Gërnjoti. “Kemi dashur të largohemi nga burgu, për shkak se ishim mërzitur dhe kemi goditur me grushte nënoficerët e shërbimit. Ne nuk kemi pasur qëllime politike. Prandaj vepra kriminale nuk duhet cilësuar si vepër terroriste, por si kundërshtim me dhunë i përfaqësuesve të pushtetit. E theksojmë se kemi dashur vetëm largim nga burgu pa menduar se ku do shkonim. Prandaj mendojmë se dënimi me vdekje na duket shumë i rëndë. Ne jemi të rinj në moshë dhe kemi mundësi të edukohemi. Për të gjitha këto kërkojmë të na jepet një dënim më i arsyeshëm...
Mëshira e të pamëshirshmëve
Nga gjykimi i çështjes ka rezultuar e provuar se të gjykuarit Adem Allçi dhe Theodhori Gërnjoti, të dënuar më parë për krime të rënda kundër shtetit (tradhti kundër atdheut) duke vuajtur dënimin në burgun e Burrelit, më 2 gusht 1967, në orën 19:30, kanë goditur me grusht nënoficerët e burgut dhe janë larguar me qëllim që të arratiseshin jashtë shtetit (Greqi). Që nga fillimi bashkë me ata në grup, ka qenë edhe Sazan Hadëri, i burgosur për krime kundër shtetit. Ky i fundit pasi është dhënë alarmi për ikjen nga burgu, është vrarë në vend. Në ikje e sipër është plagosur dhe më vonë është kapur Theodhori Gërnjoti. I burgosuri i tretë i arratisur është kapur po atë natë. Të gjykuarit janë marrë vesh më parë për të dalë nga burgu dhe për t’u arratisur jashtë shtetit. Natën e 2 gushtit ‘67, para se të bëhej sipas rregullit apeli i mbrëmjes, ata ishin veshur në mënyrë të tillë që të linte të kuptoje se po përgatiteshin për udhëtim. Kur janë pyetur nga të dënuarit e tjerë të dhomës 7 për këtë, ata janë përgjigjur se po bëheshin gati për t’u futur në birucë, pasi gjoja ishin dënuar nga komandanti i repartit nr.321. Në fakt, në orën 7:30 të mbrëmjes të datës 2 gusht ‘67, ata pasi kanë goditur dy punonjësit e shërbimit janë larguar duke shpërthyer burgun. Gjykata, duke u bazuar sa më sipër, me të drejtë e ka cilësuar këtë si vepër terroriste kundër përfaqësuesve të pushtetit dhe si tentativë tradhtie ndaj atdheut. Në kundërshtim me sa pretendohet në ankimin e të gjykuarve, vepra kriminale e tyre nuk mund të cilësohet si kundërshtim i përfaqësuesit të pushtetit me dhunë. Ajo me të drejtë është cilësuar si vepër terroriste. Në thelbin e saj në këtë figurë krimi kemi edhe dashjen kundërrevolucionare. Pra, nuk ka qenë fjala vetëm për të kundërshtuar nënoficerët e shërbimit për arsye personale, por për të shpërthyer burgun dhe për t’u arratisur jo vetëm prej aty, por për t’u larguar në një shtet të huaj. Të dy të gjykuarit janë dënuar edhe më parë për tentativë arratisje për në Greqi, gjë që tregon se ata kanë qenë të vendosur në rrugën e tradhtisë, të cilën këtë herë tentuan ta kryejnë me anën e veprës së terrorit.
Për krimin e veprës terroriste, gjykata me të drejtë ka caktuar dënimin me vdekje me pushkatim. Kjo masë dënimi në kundërshtim me sa pretendohet në ankim, është e drejtë dhe nuk duhet ndryshuar. Të dy të gjykuarit, megjithëse të rinj në moshë, me krimin që kanë kryer natën e 2 gushtit ’67 (vepër terroriste dhe tentativë tradhtie karshi atdheut), mbasi edhe më parë kishin kryer krime të rënda kundër shtetit, meritojnë dënimin më të rëndë që parashikon ligji për krimet që kanë kryer. Ata nuk japin shpresë se do të meritonin një dënim më të butë se ai me vdekje. Vendimi është i drejtë, prandaj duhet lënë në fuqi. Të pushkatohen!
Tiranë, më 31.8.1967

neser do te lexoni

Rrëfimi i vajzës së Sazan Hadërit: Letra-amanet që im atë shkroi 10 minuta para pushkatimit çfarë i thanë të bijës ata që u ndanë të fundit me të dënuarin e vrarë natën e 2 gushtit ’67?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›