E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmeti në Elbasan, panik tek banorët



ELBASAN- Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë pak mbas mesnatës së të premtes në gjithë Shqipërinë e mesme. Lëkundja e fortë ka qenë me magnitudë 4.6 të shkallës rihter, në koordinatat 41-18 në veri dhe 19.93 në lindje në orën 00.15 minuta të së shtunës. Burime nga prefektura e Elbasanit pohuan se epiqendra e tërmetit ishte 15 km në veriperëndim të Elbasanit, në fshatin Shëngjin në të djathtë të rrugës Tiranë- Elbasan. Tërmeti zgjati për 8-9 sekonda. Intensiteti i lëkundjeve ka qenë deri në 6 ballë dhe është ndjerë shumë në Elbasan, duke përhapur panik tek qindra banorë. Frika e një lëkundje të dytë bëri që banorët të dalin nga banesat e tyre. Specialistë në zyrën e emergjencave civile në Elbasan pohuan se si pasojë e lëkundjeve nuk ka pasur dëme materiale. Megjithatë, dje është ngritur një grup pune i cili pritet të marrë informacione në lidhje me dëmet që mund të ketë shkaktuar tërmeti në zonat e thella. Për këtë, prefekti i Elbasanit iu ka kërkuar informacion zyrtarëve të komunave ku është ndjerë tërmeti. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›