E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania vishet me bronz



Leonard Karaj

Gjermania ka fituar “finalen e vogël” për vendin e tertë dhe të katërt, duke marrë kështu Medaljen e Bronzit në Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut.
Skuadra e Joakim Lëvit fitoi 3-2 ndaj Uruguajit në një ndeshje spektakolare, e cila dhuroi jo vetëm gola por edhe një lojë të hapur dhe mjaft cilësore. Gjermania, “e pushtuar” së fundmi edhe nga një virus gripal, nuk kishte në dispozicion për këtë takim sulmuesit Miroslav Klose e Lukas Podolski, portierin titullar, Sebastian Nojer si dhe kapitenin Filip Lahm. Në vend të tyre luajtën Kakau, Jansen, But dhe Aogo. Me grip ka qenë edhe trajneri Lëv, por ai u ul në stol pranë skuadrës. Përsa i përket takimit, u shqua sërish sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Tomas Myler. 21-vjeçari shënoi golin e parë të Gjermanisë, duke hapur edhe serinë e goleadës. Por goli më i bukur i mbrëmjes u shënua nga Diego Forlan. Sulmuesi i Atletikos së Madridit kopjoi paksa Zinedin Zidanin, kur përcolli për në rrjetë një top të ardhur në formë krosi nga e djathta e sulmit të Uruguait. Përpara tij pati shënuar për latino-amerikanët, Edison Kavani. Ndërsa kur pritej që ndeshja të përfundonte në barazim dhe skuadrat t’i drejtoheshin kohës shtesë, erdhi edhe goli i Khedirës, në një rrëmujë totale në portën uruguaiane. Në tre-katër minutat e fundit, Uruguai tentoi të barazonte, madje goditi edhe shtyllën, por pa arritur që të shponte sërish portën e Jorg But. Kështu verdikti i parë i këtij Botërori nxjerr Gjermaninë fituese të Medaljes së Bronztë, teksa sonte pritet finalja e madhe mes Holandës dhe Spanjës.

Uruguai-Gjermani 2-3

Shënues: Kavani 28’, Forlan 51’/ Myler 19’, Jansen 56’, Khedira 82’
Kartonë të verdhë: D.Perez/ Aogo, Kakau, Friedrish
Gjyqtar: Benito Arkundia
Uruguai: Muslera, Lugano, Godin, Fuçile, Kavani (Abreu 89’), Luis Suarez, Forlan, D.Perez (Gargano 77’), M.Pereira, Arevalo, Kaseres. Trajner: Oskar Tabaresh
Gjermania: But, Jansen (Kros 81’), Friedrish, Aogo, Khedira, Shvainstaiger, Ozil (Tashi 90’), Myler, Mertesaker, Kakau (Kisling 73’), Boateng. Trajner: Joakim Lëv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›