E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një debat ekonomik i domosdoshëm

Rexhep Meidani

Një strategji ekonomike e suksesshme
Administrata e Klintonit konsiderohet si një nga administratat amerikane mjaft të suksesshme në rrafshin ekonomik. U arrit një rritje ekonomike prej 4% gati 2 herë më e lartë se ajo e kohës së Regan-Bushit (të parë) dhe një rënie papunësie deri në 4-5%. Në vitin 1993, Presidenti Klinton lëshoi një strategji ekonomike të mbështetur në këto kolona: (1) rivendosjen e disiplinës fiskale, eliminimin e deficitit buxhetor, mbajtjen e normave të interesit të ulëta dhe nxitjen e investimeve në sektorin privat; (2) investimin e drejtpërdrejtë tek njerëzit nëpërmjet edukimit, trajnimit, kualifikimit e kërkimit shkencor; (3) hapjen ndaj tregjeve të huaja që amerikanët të garonin edhe jashtë vendit. Pas 8 vjetësh rezultatet ekonomike të administratës Klinton kanë qenë krejtësisht të qarta, deficitet buxhetore të mëparshme u kthyen pothuajse në "surplus", u krijuan mbi 22 milionë vende të reja pune, duke e bërë kështu papunësinë, por dhe inflacionin bazë më të ulëtin në 30 vjetët e fundit. Amerika përjetoi kështu një ekspansion ekonomik ndër më të gjatët në histori...
Dy orientime të kundërta në kushte të ndryshme.
Që në vitet e para të presidencës Klinton u zhvillua një debat intensiv mbi rrugën më të mirë të rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike. Nëpërmjet këtij debati u arrit në përfundimin se reduktimi i deficitit buxhetor duhej të konsiderohej si një stimul apo theks i veçantë për ekonominë amerikane të kohës. Si veçori e asaj kohe ishte se këshilltarët politikë të Klintonit ishin në favor të rritjes së shpenzimeve dhe për një ulje apo reduktim të taksave, kurse stafi ekonomik i Presidentit mbështeste, madje e shtynte atë në të kundërtën: për reduktimin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.
E njëjta gjë është diskutuar dhe po vazhdon të diskutohet aktualisht edhe në administratën Obama. Veçse me një "ndryshim shenje", me një këmbim të stafeve politike e ekonomike; në administratën e Obamës, po ndodh e kundërta! Këshilltarët politikë të tij po pasqyrojnë, në njëfarë mënyre, pakënaqësinë publike mbi rritjen e deficitit, ndërkohë që stafi ekonomik i Shtëpisë së Bardhë po argumenton të kundërtën: Qeveria duhet të stimulojë dhe mbështesë më tej ekonominë, të shfrytëzojë incentiva të ndryshëm për të shmangur një recension tjetër...
Në presidencën Klinton, fitoi ideja e stafit ekonomik, të ndihmuar dhe nga demokratët e moderuar në Kongres. Ata të fundit nuk ndjeheshin mirë në kushtet e një deficiti të lartë prandaj dhe iu kundërvunë pa kompromis faturave të shpenzimeve.
Kurse, ditët e sotme po ndodh e kundërta: është pikërisht stafi politik i Obamës që ngul këmbë për reduktim të deficitit. Kurse vetë presidenti Obama pranon: " Ne kemi akoma shumë punë për të bërë për ta kthyer popullin amerikan në punë". Sipas tij, duhet të vazhdohen investimet në sektorin publik, mbështetur dhe në paketën stimuluese të miratuar që në fillim të nisjes së detyrës së presidentit.
Ndërkohë, të dhënat e fundit për qershorin, në lidhje me vendet e reja të punës, po i japin më shumë "karburant" stafit ekonomik që është në favor të një stimulimi të mëtejshëm të ekonomisë. Dhe, mbi të gjitha, për të mos lejuar ngadalësimin e vënë re në sektorin privat. Madje, kjo lëkundje e fundit mbi rezultatet ekonomike, sidomos për vendet e reja të hapura më të pakta, apo, në përgjithësi, për treguesit e rimarrjes së vetes në planin ekonomik e kanë rikthyer debatin midis Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë. Kjo është bërë akoma më "intriguese" prej konstatimit se shumë shtete apo qytete të ndryshme iu janë "turrur" tashmë rritjes së taksave. Bile, atje, duke e konsideruar këtë rritje taksash si "formulë magjike" po reduktohen ose po eliminohen paralelisht dhe disa dhjetëra mijëra vende pune në shërbimin publik. Pikërisht për të balancuar buxhetin dhe zvogëluar deficitin e tij. Sidomos kjo situatë po rezulton tepër problematike në mjaft vende evropiane, ku në resht të parë është Greqia e mbushur me borxhe (me deficit buxhetor afro 13%, dhe borxh publik 120-125% e GDP-së), por jo prapa saj nuk janë as dhe Spanja, Portugalia, etj...
Kriza po godet
ekonominë reale.
Por, ç'po ndodh në rastin shqiptar?! Në radhë të parë, nuk zhvillohet debat i mirëfilltë as midis këshilltarësh, as midis stafesh, as midis institucionesh përgjegjëse, as midis forcave kryesore politike në qeverisje (qendrore apo vendore), kur ndërkohë do të parapëlqehej apo kërkohej e kundërta. Kështu, p.sh., 1-2 vjet më parë, u stimuluan investimet, sidomos në autostradën e veri-lindjes, ku u shpenzua "pjesa e luanit" e fondeve të infrastrukturës. Por, situata aktuale lë vend për shqetësime serioze. Bile, para pak kohësh, BERZH-i dha një parashikim shumë më të zymtë për rritjen ekonomike në Shqipëri. Aq më tepër, që në vitin 2010, nuk mund të ketë efekte të njëjta dhe as nuk mund të operohet njëlloj si vitin 2009, ku rritja më e lartë u dedikohej shpenzimeve publike, të arritura nëpërmjet rritjes së borxheve. Për këtë qellim shërbeu dhe kredia sindikale prej afro 200 milionë eurosh me kushte jo të favorshme, që në vetvete, sipas specialistëve, shmangu në vetvete një krizë të mirëfilltë financiare (që mund ta kishte pushtuar Shqipërinë pa prurjen likuide të kësaj kredie në sistemin tonë financiar, të frustruar nga mungesa e likuiditetit, nga tërheqja e frikësuar e depozitave dhe presionet jo të vogla të bankave mëma mbi degët e tyre në Shqipëri). Por, tani kjo kredi duhet shlyer, dhe me të, krahas të tjerave, lidhet një aspekt i rëndësishëm i trysnisë ekonomike aktuale! Edhe kërkesa private do të jetë e pakët si pasojë ose vështirësive në hapjen e vendeve të reja të punës ose e rritjes së papunësisë, e kredive të pakta, gjë që do të pengojë rritjen e prodhimit dhe të kursimeve. Pra, sipas BERZH-it, Ballkani Perëndimor do të vuajë gjatë pasojat e krizës ekonomike globale, bile rajoni nuk do ta ketë të lehtë, gati të pamundur, të rikthehet në normat e rritjes ekonomike të përpara krizës. Shqipëria, ashtu si i gjithë Ballkani Perëndimor, po përballet dhe do të përballet me një valë falimentimesh; ajo, edhe pse nuk është prekur nga kriza globale, po goditet jo pak në ekonominë reale, duke e ulur më tej nivelin e pritshmërisë së rritjes ekonomike. Krahas rënies së dërgesave të emigrantëve dhe mossuksesit konjuktural në futjen e Eurobond-it (si instrument për të shlyer kredinë sindikale, ashtu dhe për të financuar nevojat e buxhetit për investime) një problem në vete për ekonominë shqiptare mbetet ruajtja e qëndrueshmërisë makroekonomike, mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe e deficitit fiskal. Dhe, në kushte të tilla, duke u huazuar nga "bankat e brendshme", si për të shmangur "panikun" qeveria rrit pagat e buxhetorëve (nga 2% në 12%), duke realizuar njëkohësisht shkurtime të konsiderueshme në buxhet (mbi 25% të tij, apo afro 30 miliardë lekë). Kjo masë e fundit, sipas saj, është për t'u mbrojtur nga kriza botërore, konkretisht "për të ulur deficitin buxhetor dhe për të mos lejuar rritjen e borxheve; ...për të përballuar me sukses këtë mjegullnajë financiare dhe ekonomike, që ka pushtuar një pjesë të gjerë të kontinentit". Po, ama, për çudi, jo ekonominë shqiptare të "pa mjegulluar" dhe tejet "të fortë"!?...
Edhe në rastin shqiptar kërkohet alternimi.
Mesa kuptohet sot, në ShBA, kërkohet alternimi i dy pikëpamjeve: një stimul shtesë për ekonominë dhe, nga ana tjetër, një shenjë e qartë prej qeverisë për të vepruar mbi taksat dhe shpenzimet, me synim për të ulur sa më shpejt borxhin (që arriti gjatë recensionit në nivelin më të lartë të pas luftës). Pra, në vetvete, debati mbetet për kohën dhe shkallën e stimulimit, nga njëra anë, apo reduktimit të deficitit të buxheti, nga ana tjetër. Kështu, po rriten zërat për shkurtim buxheti por jo me një shpejtësi të madhe, sepse diçka e tillë mund të ngadalësojë ekonominë, procesin e rimarrjes së vetes, deri duke e rikthyer krejtësisht prapa si në kohën e Depresionit (në atë kohë, duke tentuar reduktimin sa më të shpejtë të deficitit u shfaq një recension tjetër në vitin 1937). Edhe në samitin e para pak ditëve të G20-ës, Obama dhe Geithner (Sekretari i Thesarit) ekspozuan konceptin e tyre për vazhdimin e masave stimuluese kundrejt përpjekjeve evropiane për pakësimin e shpenzimeve dhe rritjen e taksave...
Ndoshta, kjo vlen dhe për ne. Sidoqoftë, nëse mendohet se vendi ynë mund të tentojë të rrisë borxhin publik në një periudhë afatshkurtër për të financuar e ruajtur rritjen ekonomike, kjo mund të arrihet vetëm me një konsensus të plotë me opozitën. Po ashtu, krahas profesionalizmit e kapaciteteve të duhura, qeveria në huamarrjen për investime të domosdoshme duhet të projektojë drejt dhe kohën e shlyerjes së borxheve, për të minimizuar kostot përkatëse (por jo të orientohet drejt investimeve me ndikim të dobët ekonomik dhe që bëhen në kohë shumë më të kushtueshme). Dhe, më e çuditshmja, është se pikërisht në kushte të tilla përgjithësisht të paqarta, shpallet objektivi apo premtohet ulja e borxhit publik nga afro 60% e PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) në 53% në fund të vitit 2012 dhe e deficitit buxhetor nga afro 7% për vitin 2009 deri në 3%, në fund të vitit 2011. Kjo nënkupton në vetvete një sjellje tepër konservative ndaj shpenzimeve kapitale e operative, në kushtet e një niveli të lartë papunësie, e zgjatjeve apo shtyrjeve të investimeve, reduktimit të shpenzimeve konsumatore, etj.
Pra, kërkohen jo "shpikje" politike euforike, por përgjegjësi shumë më tërësore, mendim ekonomik i specializuar pikërisht për të alternuar rritjen graduale me reduktimin e deficiteve. Dhe, mbi të gjitha, ajo që kërkohet qartësisht sot është njohja dhe pranimi i seriozitetit të situatës, diskutimi me të gjitha grupimet politike dhe institucionet përgjegjëse, miratimi i një pakete shumë më të argumentuar që të ligjërojë "konservatorizmin" ekonomik e monetar. Këtë po tenton sot dhe vetë Gjermania, që ka marrë masa për ta mbajtur ekonominë-motor të Eurozonës në një regjim të rreptë, gati-gati spartan, shpenzimesh e kursimesh. Jo më Shqipëria, që duhet ta kishte pranuar e bërë këtë shumë kohë më parë!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›