Holandë-Spanjë, për Kupën e parë Botërore
Leonard Karaj
Cilado skuadër që fiton këtë Botëror mund të thuhet me plot gojën që e ka stërmerituar. Holanda dhe Spanja, duke imagjinuar një përzierje mes dy formacioneve, na japin një ekspoze të një futbolli që zor se mund ta gjesh në ekipe të tjera. Elegancë, mbajtje topi, driblime, fantazi, cilësi individuale, por edhe dy strategë të taktikave si Del Boske e Van Marvijk. Spanja ka ardhur deri në finalen e këtij kompeticioni si një kampione, përderisa mban shiritin e njëshit të Europës. Një skuadër pak a shumë e pandryshuar në organikën e saj, por me një timonier tjetër në krye (në Europian ishte Aragones që drejtonte spanjollët). Ndërsa Holanda është një skuadër e krijuar në këto dy vite. Largimi i Van Bastenit solli disa ndryshime, ku garda e vjetër u zëvendësua me talente të rinj të futbollit “portokalli”. Jashtë Sedorf e Van Nistelroi, fantazia dhe goli i kaluan gjeneratës së re me Shnajderin, Van Persin, Robenin e Elian. Holanda vjen për herë të tretë në një finale të një Kampionati Botëror pas 1974-s dhe 1978-ës me “shpikësit” e futbollit total dhe nëse nuk do të arrijë as sonte që të fitojë, atëherë do të jetë skuadra e parë në botë që shkon tri herë në finale dhe nuk e fiton asnjëherë. Kurse Spanja është për herë të parë në histori finaliste dhe dëshiron që të kopjojë Gjermaninë Perëndimore të kohës së Franc Bekenbauerit, e cila fitonte Europianin në 1972-in dhe Botërorin dy vjet më vonë.
Holanda – Trajneri Bert van Marvijk i ka të gjithë “tulipanët” e tij në dispozicion, ndaj do të hedhë në fushën e lojës formacionin e tij më të mirë. Deri para dy ditësh shqetësime të vogla janë parë te portieri Marten Stekelenburg, por ditën e djeshme ai është stërvitur rregullisht me skuadrën, ndaj do të jetë titullar në këtë finale. Në pankinë dhe i gatshëm për të dhënë kontributin e tij do të jetë edhe mesfushori shkatërrues Demi de Zeu, i cili pësoi një dëmtim në dhëmbë gjatë gjysmëfinales me Uruguain. Natyrisht, kthimi i De Jong e detyron në një farë mënyre mesfushorin e Ajaksit që të ulet në stol ashtu sikundër edhe Kalid Bulahruz, i cili do t’i lërë sërish vendin Gregori van der Viel, i rikthyer edhe ky nga pezullimi për kartonë.
Spanja – Edhe Visente del Boske nuk ka probleme formacioni dhe sipas informacioneve do të luajë me të njëjtin 11-ësh që eliminoi Gjermaninë në gjysmëfinale. Sulmuesi Fernando Torres do të ulet fillimisht në stol duke i lënë vendin mëngjarashit të Barcelonës, Pedro Rodriguez. I vetmi futbollit që nuk është në dispozicion të Del Boskes është mbrojtësi Raul Albiol, i cili u dëmtua gjatë një seance stërvitore para dy javësh dhe nuk mund të luajë për asnjë sekondë në këtë Kampionat Botëror. Ndërkohë në pankinë do të jetë çesk Fabregas, kurse nga minuta e parë do të luajë sërish Andres Iniesta. David Vila do të jetë sulmuesi i vetëm, i ndihmuar nga fantazia e Ksavi Hernandez.
Holandë-Spanjë
Sonte, ora 20:30
Arbitër: Hauard Ueb (anglez)
Formacionet e mundshme
Holanda (4-2-3-1): Stekelenburg, Van der Viel, Heitinga, Matijsen, Van Bronkhorst, Van Bomel, De Jong, Van Persi, Roben, Shnajder, Kajt. Trajner: Bert van Marvjik
Spanja (4-2-3-1): Kasijas, Ramos, Pike, Pujol, Kapdevila, Buskets
Ksabi Alonso, Vila, Pedro, Ksavi, Iniesta. Trajner: Visente del Boske
Van Marvijk
“Për shumë, ky Botëror për ne shihej si një mision i pamundur, por ne besojmë se mund t’ia dalim dhe e kemi merituar plotësisht të vijmë deri në këtë finale, të këtij kompeticioni, - deklaron i bindur trajneri i Holandës, Bert van Marvijk. - Mbase nuk kemi bërë një futboll të bukur, por e rëndësishme është që skuadra di të luajë dhe të përshtatet, e më pas të mundë kundërshtarin që ka përballë. Spanja favorite? Mbase mund të jetë si rrjedhojë e faktit, se këtë gjë e ka parashikuar oktapodi, por unë di që ne i drejtohemi kësaj ndeshje me objektivin për të fituar dhe kam besim se do ia arrijmë qëllimit. Kurrë deri tani nuk kemi shfaqur frikë kundrejt skuadrës që kemi përballë dhe aq më pak, do ta ndjejmë diçka të tillë në këtë ndeshje”.
Del Boske
“Pujol, Pike, Buskets, Ksavi, Iniesta dhe tani edhe David Vila janë të gjithë lojtarë shumë të rëndësishëm të Spanjës, por nëse i numërojmë, këta të pestë nuk mund të luajnë të vetëm në fushë. Një skuadër përbëhet nga 11 futbollistë, kësisoj gjashtë lojtarët e tjerë nuk ka rëndësi nëse luajnë për Barcelonën apo Realin: ata janë përfaqësues të Kombëtares së Spanjës. Jemi në pritje të ndeshjes më të rëndësishme në historinë e futbollit spanjoll. Tashmë jam lodhur duke dëgjuar krahasime të Spanjës me Barcelonën. Finalja? Futbollistët e mi janë të mësuar me të tilla ndeshje të rëndësishme, me të tillë presion që i rrethon, ndaj nuk jam aspak i shqetësuar. Edhe pse është një finale dhe ne na duhet të luajmë për trofeun më të rëndësishëm në botë”.