Aksidentet, tri të vdekur dhe 9 të plagosur, në Durrës, Kukës dhe Korçë
Luan Kondi
Tiranë - Tre persona humbën jetën ndërsa 9 të tjerë u plagosën në aksidentet e rënda që ndodhën në 24 orët e fundit. Udhëtimi në autostradën Tiranë-Durrës u ka marrë jetën babë e bir dhe një të riu, ndërsa në rrugën Rrëshen-Kalimash është shënuar dje edhe aksidenti i parë me bilancin e 4 të plagosurve. Po kështu Policia e Qarkullimit Rrugor ka evidentuar edhe një tjetër aksident të rëndë me pasojë plagosjen e 5 personave pikërisht në aksin Korçë-Pogradec.
Durrës
Ka rezultuar i fundit udhëtimi për tre persona të cilët udhëtonin nga Tirana për në Durrës, kur autovetura tip BMV me targë CC 586 YC doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë betoni. Viktimat e këtij aksidenti të rëndë, që ndodhi afër Maminasit janë babë e bir; Bujar Lala, 50 vjeç dhe Eltjon Lala, 26 vjeç, si dhe Edison Imeri, 27 vjeç. Sipas policisë mjeti drejtohej nga 26- vjeçari, njëkohësisht pronar i automjetit, dhe mendohet si shkak për këtë aksident shpejtësia e madhe. Të njëjtat burime konfirmuan se mjeti ka dalë fillimisht nga rruga, ka rënë në një kanal dhe më pas është përplasur me një shtyllë betoni. 50-vjeçari Bujar Lala gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa i biri i tij, Eltoni, si dhe 27-vjeçari Edison Imeri vdiqën gjatë natës në spitalin rajonal të Durrësit nga plagët e rënda në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.
Përgjaket rruga Rrëshen-Kalimash
Aksidenti i parë në superstradën Rrëshen-Kalimash, pikërisht në vendin ku është devijuar projekti i rrugës. Kjo autostradë e përfolur duket se është inauguruar me përgjakje. Burime nga vendngjarja thanë se dy automjete janë përplasur duke lënë të plagosur 4 persona të së njëjtës familje. Policia bën të ditur se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesve të mjeteve, por edhe mungesa e sinjalistikës në rrugë dhe terreni i rrëshqitshëm që ka ardhur si rezultat i motit të keq. Nga përplasja e makinës me targa Tr 6467 L me mjetin me targa të Kosovës, 540 KS 800 kanë mbetur të plagosur Lufti Hyka, i cili është në gjendje të rëndë, Alesio dhe Anisa Hyka, përkatësisht 2 e 7 vjeç si dhe Bajram Hyka.
Në rrugën Korçë-Pogradec, 5 të plagosur
Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Korçë-Pogradec. Burime nga vendngjarja thanë se shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia e madhe. Të njëjtat burime saktësuan se ishte pikërisht shpejtësia tej normave të lejuara ajo që kjo ka sjellë edhe daljen e makinës jashtë rruge. Si rezultat kanë mbetur të plagosur 5 personat që udhëtonin me makinën me targa të Tr, 6875 J. Mësohet se të plagosurit janë dërguar në spital, ku bluzat e bardha konfirmojnë gjendjen e tyre të rëndë dhe në rrezik për jetën. Policia ka identifikuar të plagosurit të cilët janë: Ervin dhe Elona Caci, Kristian Korçari dhe Aristotel Çifliku.
29 Qershor 2009