Zgjedhjet në burgje, Mihal Delijorgji refuzon votimin
Armand Bajrami & Fatos Mahmutaj
Mihal Delijorgji, një nga personazhet VIP në paraburgimin 313 në Tiranë, i përfolur gjerësisht nga politika pas tragjedisë së Gërdecit, refuzoi dje të votonte. Biznesmeni i prangosur nuk e hodhi votën në qendrën e votimit në paraburgimin “Jordan Misja”, ku mbahet aktualisht. Burime nga burgu 313 thanë se i paraburgosuri për “Gërdecin” ka tentuar katër herë të paraqitej pranë komisionit të votimit, por në asnjë moment nuk e ka kaluar pragun e bibliotekës së këtij institucioni, atje ku ishte vendosur komisioni i qendrës së votimit. Shkak është bërë prania e mediave me kamera dhe aparate fotografikë, nga të cilat Delijorgji duket se ka preferuar të qëndrojë larg. Mësohet se Delijorgji ka pohuar se nuk kishte siguri nëse procesi i votimit survejohej nga kamerat, ndaj nuk pranoi të merrte pjesë në votim. Ai u pa të kalonte në fund të korridorit ku ndodhet qendra e votimit i shoqëruar nga një prej gardianëve të burgut. I veshur me rroba sportive, ai ka hedhur vetëm një vështrim në distancë drejt qendrës së votimit, por pa u drejtuar për tek ajo. Biznesmeni nuk është paraqitur aty deri në përfundim të orarit zyrtar të votimit, ndërsa rreth mesditës votuan qetësisht dy të pandehurit e tjerë të tragjedisë së Gërdecit, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli. Bashkë me të paraburgosurit e tjerë, dje në qendrën e votimit u paraqitën edhe personazhet “VIP” të këtij institucioni. Të akuzuar nga prokuroria si pjesëtarë të bandave kriminale të viteve 1997-1999, në qendrën e votimit u paraqitën anëtarë të “bandës së Durrësit” dhe i akuzuari si kreu i saj Lulzim Berisha, të akuzuar të “bandës së Lushnjës”, të “bandës së Cërrikut” dhe persona të tjerë të dyshuar si autorë të ngjarjeve të bujshme kriminale.
Votimi në paraburgim
Pak minuta pas orarit zyrtar të çeljes së qendrës me numër 1976, që ishte brenda ambientit të paraburgimit “Jordan Misja” nr.313 në Tiranë, aty filluan të vijnë votuesit e parë. Sipas funksionarëve të institucionit të paraburgimit, nxjerrja e votuesve u organizua në grupe. Radha filloi nga seksionet e katit të tretë të godinës, dhe në vijim me katin e dytë dhe të parë.
Njëri pas tjetrit, të pajisur me kartat e reja të identitetit, të paraburgosurit “vulosën” votën e tyre. Gjatë zhvillimit të procesit nuk u shënuan probleme të theksuara. Deri në orën 14:45 në kutinë e votimit ndodheshin rreth 300 vota të hedhura. Burime zyrtare bënë të ditur se në listat përfundimtare të zgjedhësve për këtë qendër votimi ishin 338 persona. Rreth orës 15:00 u ul ndjeshëm intensitetin e punës, për shkak se disa nga të paraburgosurit nuk kishin kartën e identitetit dhe as pasaportën dhe po prisnin familjarët e tyre të sillnin këtë të fundit. Ndërsa në përfundim të orarit zyrtar, qendra ka mbyllur procesin.
Procesi në burgje
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, plot 89 për qind e personave të burgosur dhe të paraburgosur në institucionet e burgjeve të vendit kanë shprehur vullnetin e tyre dje në votime. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, sipas të cilave, “89 për qind e personave të burgosur dhe të paraburgosur kanë qenë pjesëmarrës në votim”. Bëhet e ditur se aktualisht në institucionet e paraburgimit dhe të burgimit në vend ndodhen 4868 persona. Burimet theksuan dje se procesi zgjedhor është karakterizuar nga normaliteti dhe se nuk janë shënuar incidente të theksuara. Të paraburgosurit janë paraqitur dje në qendrat e votimit në burgjet përkatëse me dokumentin e kartës së identitetit. Sipas burimeve, 99 për qind e të burgosurve dhe të paraburgosurve e zotëronin atë. Ndërkohë që një pjesë e tyre ishte liruar për shkak të përfundimit të dënimit, apo shuarjes së masës së sigurisë. “Vetëm 35 persona nga personat e liruar pasi e kishin përfunduar dënimin, apo pasi u është shuar masa e sigurisë janë kthyer edhe njëherë në ambientet e burgjeve për të votuar. Aktualisht në vendin tonë ndodhet një total prej 20 institucionesh të ekzekutimit të vendimeve penale dhe të paraburgimit.