“Zgjedhjet të qeta, exit poll: Berisha drejt mandatit të ri”
Procesi zgjedhor i së dielës në Shqipëri është monitoruar jo vetëm nga rreth 400 vëzhgues ndërkombëtarë, por edhe përfaqësues të mediave më në zë, të cilët kanë raportuar për Shqipërinë zgjedhje kryesisht të qeta dhe me standarde më të mira se ato parapraket. Megjithatë nuk janë lënë pa përmendur as incidentet. Të gjitha agjencitë janë bazuar në rezultatet e exit poll-eve për të komentuar fitoren e kryeministrit aktual, Sali Berisha, për mandatin e ardhshëm qeveritar.
"New York Times" shkruan se Kryeministri Berisha duket se po merr mandatin e ri qeveritar, ndërsa Shqipëria ka përfunduar testin e kredibilitetit për në BE. Votimi është konsideruar një barometër kritik për maturinë politike në Shqipëri. Por prestigjiozja amerikane shkruan se BE, e cila edhe tani ndjehet e tejet zgjeruar, është në dyshim për të pranuar një vend të varfër, i cili ndjell frikën e nxitjes së shkeljeve të ligjit në bllokun evropian.
BBC citon deklaratat e vëzhguesve, se zgjedhjet në përgjithësi kanë qenë relativisht të paqme. BBC kujton se këto votime ishin testi për kredencialet demokratike të vendit. Një zëdhënës i OSBE, organizata evropiane e të drejtave të njeriut dhe sigurisë, tha se gjatë ditës votimi ka shkuar përgjithësisht mirë. “Deri tani gjithçka ka qenë relativisht e qetë. Ka pasur parregullsi, por kësaj radhe më pak se në zgjedhjet e kaluara”, tha Robert Bosch, kreu i OSBE-së në Shqipëri. Korrespondenti i BBC në Tiranë, Mark Lowen, thotë se votimi duket se ka kaluar pa probleme.
“Associated Press” përmend se exit poll-et kanë treguar se partia e kryeministrit Sali Berisha ka fituar një tjetër mandat në zgjedhjet parlamentare. Duke thekuar se rezultatet zyrtare priten gjatë ditës së hënë, AP përmend exit poll-et e Gani Bobit, që e çuan Berishën pothuajse 9 për qind para rivalit të tij Rama, duke i dhënë Berishës kahun e formimit të qeverisë. Dhe një tjetër exit poll i pavarur i transmetuar nga Tv Klan me bazë në Itali, IPR i jep Berishës 4 për qind përparësi nga Rama. AP ka përmendur reagimin e opozitës socialiste, duke vënë në diskutim exit poll-et. Agjencia vlerëson se votimi ka përfunduar me vonesë në disa qendra, me njerëz që prisnin në radhë për të votuar. Vëzhguesit ndërkombëtarë planifikojnë të paraqesin një raport gjatë ditës së sotme.
VOA shkruan se populli shqiptar ka votuar në zgjedhjet parlamentare të monitoruara nga afër nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët kërkonin të shihnin nëse vendi më i varfër në Evropë ka kredenciale të mjaftueshme demokratike për t’u bashkuar me BE-në.
La Repubblica shkruan se Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha ka fituar sërish, sipas exit poll-eve shumicën e vendeve në parlamentin e Tiranës.
DPA
Kryeministri shqiptar Sali Berisha duket se ka fituar të drejtën për një mandat tjetër në pushtet, sipas exit poll-eve të paraqitura pak pas votimit të së dielës. Dita e zgjedhjeve ka kaluar pa probleme të mëdha, të cilave të gjithë i druheshin pas episodeve të dhunshme si dy incidente fatale, gjatë fushatës. Disa votues janë ankuar për presion se ku të hidhnin votën e tyre. Shqipëria është bërë pjesë e NATO-s në prill, por ka pasur nevojë për t’i organizuar zgjedhjet në një standard më të lartë se sa ka arritur në të kaluarën për të zhbllokuar synimin e saj për t’u anëtarësuar në BE.
Reuters
Shqipëria votoi, ndërsa Perëndimi vëzhgoi standardet e zgjedhjeve. Agjencia kujton se ndërsa të dy kampet kryesore kanë premtime të njëjta në programet elektorale, ato akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion. Votimi ka nisur rregullisht në shumë zona, edhe pse në disa qendra procesi nisi me vonesë për shkak të problemeve me materialet e votimit. Vëzhguesit perëndimorë ishin përhapur përreth Shqipërisë për të parë nëse do të arrihen standardet ndërkombëtare. Deklaratat e tyre priten sot pasdite.
Euronews
Komenton se në Shqipëri përfunduan votimet parlamentare të vlerësuara si kyçe për shanset e anëtarësimit të shpejtë të vendit në BE. Kryeministri Sali Berisha tha se zgjedhjet e lira dhe të drejta do të rrisnin mundësinë e realizmit të planeve të vendit për t’u anëtarësuar në BE. Votimi përfundoi pa incidente të mëdha, por kreu i skuadrës ndërkombëtare prej rreth 400 vëzhguesish tha se ka pasur parregullsi. Të dy rivalët e mëdhenj kërkojnë anëtarësimin në BE dhe kanë politika të ngjashme ekonomike, por akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion dhe manipulim vote.