E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapat ekonomikë të qeverisë përgjatë vitit zgjedhor



Shpenzimet marramendëse për realizimin e autostradës Rrëshen-Morinë, rritja e pagave dhe pensioneve një muaj para zgjedhjeve dhe efektet e krizës e detyruan qeverinë shqiptare që të kërkojë kredi. Pasi kishte marrë disa kredi te bankat vendase apo dhe të huaja për rrugën Durrës-Kukës, OSSH-në apo dhe ndërmarrje të tjera, kësaj radhe qeveria trokiti te bankat e huaja. Njoftimi i ankandit të publikuar nga Ministria e Financave në FT dhe sajtin e saj zyrtar, u shty tri herë pasi asnjë nga bankat nuk u ofrua për dhënien e kësaj shume kaq të madhe. Vetëm gjatë këtij viti u bë e mundur që të finalizohet 60% e shumës prej 300 milionë eurosh, e cila u dha me terma tregtarë nga Dojçe Bank dhe Alfa Bank. Kjo shumë do të përdoret për financimin e shpenzimeve buxhetore. Gjatë këtij viti qeveria bëri të mundur edhe rritjen e pagave dhe pensioneve më 1 maj, përkundër këshillave që dha FMN-ja, e cila kërkoi që të mos merrej një hap i tillë në këtë vit krize. Kjo periudhë përkon me shtimin e frikshëm të shpenzimeve elektorale. Sipas të dhënave, vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2009 janë tejkaluar me 80 për qind fondet e planifikuara për shpenzimet buxhetore. Ndërkaq, burimi i të ardhurave të siguruara nga shitja e aksioneve të kompanive shtetërore (i deklaruar mbi 250 milionë euro) pritet të përdoret për financimin e buxhetit të shtetit, ndonëse ka pasur edhe deklarime se ato do të përdoren për ish-pronarët, ish-të përndjekurit, shlyerjen e borxhit të jashtëm, etj. Viti 2009 ka nisur edhe me uljen e nivelit të grumbullimit të të ardhurave nga tatimet dhe doganat; kjo për shkak të gjendjes së vështirë në të cilën ndodhet biznesi nga kriza financiare, por edhe nga presionet dhe lëshimet përgjatë muajve para zgjedhjeve.
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve dhe nga dalja e qeverisë së re, askush nuk e di, përveç ministrit të Financave Bode dhe kryeministrit Berisha sesa lekë ka në arkën e shtetit dhe se sa do të jetë në gjendje shteti të sigurojë vijueshmërinë normale financiare pas 29 qershorit.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›