E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti ne Argjentine reagojne drejtuesit e trenit

Drejtuesi i trenit të përplasur në Argjentinë, aksident ku humbën jetën 51 persona ditën e mërkurë, fajësoi një defekt në frena dhe neglizhencën e atyre që duhet të kujdeseshin për sigurinë e mjetit. Mbi 700 persona mbetën të plagosur, pasi treni tejkaloi një stacion në Buenos Aires dhe u përplas në përfundimin e shinave. Sipas mediave argjentinase, shoferi, i cili i mbijetoi aksidentit në mënyrë të pabesueshme, kishte raportuar disa herë për probleme me frenat, por i ishte thënë që të vazhdonte rrugën. Megjithatë,hetuesit kanë bërë me dije  se do të shikojnë  regjistrimet në dhomën e kontrollit.  28-vjeçari Marcos Cordoba, makinisti i trenit, është duke u kuruar në një spital, ku njëkohësisht është vendosur nën arrest për akuzën që në kodin penal argjentinas klasifikohet “shkaktim i pavullnetshëm dëmesh”. Sipas “Noticias Argentinas”, lokomotiva kishte shfaqur që në fillim probleme me sistemin e saj të frenimit, por pavarësisht se shoferi bëri detyrën dhe raportoi për situatën në çdo stacion që ndalonte, atij i përsëritej gjatë të gjithë kohës që të vazhdonte rrugën.Testimet e gjakut treguan se Cordoba nuk kishte konsumuar alkol apo substanca narkotike në momentin kur ndodhi aksidenti.
Aksidenti i ditës së mërkurë është më i rëndi në hekurudhat argjentinase që prej vitit 1970, kur dy trena u përplasën me shpejtësi të lartë në periferi të Buenos Airesit, duke i marre jeten 200 personave. 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›