Aksidenti, 5 të vedekur në autostradën Tiranë-Durrës
DURRES/ OERD ULQINI
Përgjaket autostrada Tiranë- Durrës, duke shënuar aksidentin më të rëndë për këtë vit. Pesë persona mbetën të vdekur dhe tre të tjerë u plagosën rëndë, si pasojë e përplasjes së tre mjeteve.Ngjarja tragjike ndodhi dje rreth orës 03:20, kur viktimat nga Tirana po ktheheshin nga një dasmë në Maminas të Durrësit. Goditja ka qenë tejet e fuqishme, duke mos i lënë asnjë shans mbijetese shoferes dhe katër pasagjerëve të mjetit “Golf” me targë TR 04 58 S. Viktimat janë Dolores Skënderaj, 27 vjeçe, e cila ndodhej në timon, nëna e saj Haxhire Skënderaj, bashkëshortët Eduart dhe Lumturi Lekdusha, përkatësisht 57 dhe 50 vjeçe, si dhe Lindita Limani 43 vjeçe. Viktimat ishin të gjithë nga Tirana, të afërm me njëri- tjetrin. Ngjarja alarmoi policinë, e cila kur mbërriti në vend gjeti një pamje tragjike. Trupat të copëtuar nga forca e përplasjes, ndërsa tre të tjerë të përgjakur e plagosur rëndë. Fillimisht u dyshua se makina “Wolkswagen Golf”, ishte përplasur me betonndarësen dhe kishte dalë nga rruga si pasojë e shpejtësisë, por pas hetimeve më të zgjeruara mori terren një tjetër pistë. Mjeti që drejtohej nga viktima 27–vjeçare kishte marrë kahun e gabuar në autostradë. Për këtë shkak, në aksident janë përfshirë edhe dy mjete që vinin nga Tirana në drejtim të Durrësit. Bëhet fjalë për automjetet me targa TR 59 88 G dhe TR 51 48 L, në të cilat udhëtonin shtetasit Ilir Bardhi 18 vjeç, Nuel Papuli 19 vjeç dhe E. Malkutaj 17 vjeç, që të tre nga Tirana. Të plagosurit, ende janë të shtruar në spital dhe sipas mjekëve gjendja e tyre është ende në rrezik. Pasi kanë marrë ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Durrësit, të mbijetuarit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në të cilin po i nënshtrohen terapive intensive. Policia e Durrësit në bashkëpunim me nënseksionin e Qarkullimit Rrugor, nuk ka dalë ende në një version përfundimtar mbi ngjarjen, ndonëse skema që besojnë aktualisht hetuesit ka të bëjë me hyrjen në korsinë e gabuar dhe më pas tentativën e vajzës shofere për të ndryshuar kahun e autoveturës në këtë korsi. Dyshohet se pikërisht në momentet e tentativës për tu kthyer sërish në rrugën e duhur, makina “Golf” është goditur në të gjithë gjatësinë e saj nga makina me targë TR 51 874 L, e cila po ecte në drejtimin e duhur drejt Durrësit. Pak sekonda më pas, në pamundësi të frenimit dhe të errësirës në aksident, është implikuar edhe një automjet tjetër i cili gjithashtu kishte si drejtim Durrësin. Sipas policisë, dasmorët, katër prej të cilëve i përkisnin dy familjeve, pasi kishin përfunduar gostinë në një nga lokalet e kësaj zone, kishin marrë rrugën e kthimit drejt banesave të tyre në Tiranë. Por për fat të keq drejtuesja e mjetit kishte marrë drejtimin e gabuar në autostradë, duke u futur në korsinë e kundërt. Në përpjekje për të korrigjuar kahun e lëvizjes ka ndodhur edhe përplasja tragjike, me bilanc pesë të vdekur dhe tre të plagosur. Dyshohet se errësira, pagjumësia, lodhja apo alkooli të kenë ndikuar për aksidentin e ndodhur.
aksidenti
VIKTIMAT
Dolores Skënderaj, 27 vjeçe
Haxhire Skënderaj, 60 vjeçe
Eduart Lekdusha 57 vjeç
Lumturi Lekdusha, 50 vjeçe,
Lindita Limani 43 vjeçe.
TE PLAGOSUR
Ilir Bardhi 18 vjeç
Nuel Papuli 19 vjeç
E. Malkutaj 17 vjeç