E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, debate për luftën mbi krimin e organizuar

 

Arrestimi i 13 të dyshuarve për përfshirje në krim të organizuar ka hapur diskutim në Kosovë. Sipas radio “Europa e Lirë” ka një sërë reagimesh të ndryshme brenda shtetit të ri, të cilët e shohin luftën ndaj krimit të organizuar në përmasa të ndryshme. Opozita dhe pozita në fakt janë ato që kanë dhënë opinionet e tyre që ndryshojnë nga njëra-tjetra për nga atributet që i jepen këtij arrestimi. Debati mori rrugë nga ngjarja e ditës së enjte kur 13 persona, 11 avokatë, një gjykatës dhe një zyrtar i një kompanie sigurimi janë vënë nën pranga sepse dyshohet të kenë bërë falsifikim dokumentesh, keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe keqpërdorim të besimit. Operacioni u shtri në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan dhe Prishtinë.  Menjëherë pas kësaj reagimi i pozitës qeverisëse ka qenë ai i theksit mbi luftën kundër krimit të organizuar kurse nga ana e opozitës kjo është përkufizuar thjesht si një arrestim spektakolar. Kështu anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu tha: “Unë jam i pirur t’u besoj edhe organeve të ndjekjes, edhe të drejtësisë. Sigurisht se ato janë çështje me të cilat duhet të merren organet kompetente dhe të vijnë në përfundimin e duhur”. Kurse  nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Shkumbin Demaliaj tha se edhe kësaj here u bë një arrestim spektakolar. Po kështu edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Naim Maloku, ka dhënë opinionin e tij lidhur me këtë debat duke theksuar se nuk beson se arrestimet e fundit do të godasin në të vërtetë krimin. Edhe pse Kryeministri i Kosovës  Hashim Thaçi është shprehur se Qeveria e tij i ka shpallur luftë krimit të organizuar, nga raporti i parë monitorues i EULEX-it nuk ka pasur nota pozitive madje është nënvizuar se policia nuk ka strategji për të luftuar këtë dukuri negative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›