E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti; Gjendet i vdekur minatori në Bulqizë



Minatori, i cili u bllokua pasditen e së dielës, pasi galeria në të cilën punonte u shemb, u gjet i vdekur ditën e djeshme. Trupi i minatorit, Arjan Duva, është gjetur i pajetë në galeri, pas kërkimeve të specialisteve të avari-shpëtimit. Minatori Duva mbeti i bllokuar në galeritë e minierës së kromit, pas shembjes se tavanit në brendësi të saj. Së bashku me minatorin Arjan Duva, në galeri ndodhej edhe Astrit Kuka, i cili ka mundur të dalë jashtë gjatë kohës së shembjes, me disa plagë të marra ne trup. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ky institucion sqaron se aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:30 në galerinë 62 të zonës qendrore – jugore të ish-minierës së Bulqizës. Galeria në të cilën ka ndodhur aksidenti ka qenë e mbyllur me shembje dhe meqë ndodhej brenda zonës së rrezikut të Kategorisë së Parë, të caktuar në urdhrin e ministrit 488, 30.6.2008, për të nuk është dhënë dhe nuk parashikohet asnjëherë të jepet leje shfrytëzimi. Madje, në fund të shtatorit 2008, hyrja e kësaj galerie është mbyllur me shembje në prezencë të forcave të policisë. Por dy banorë të zonës janë futur në këtë galeri, në një nga zonat e shembura dhe duke shfrytëzuar pushimin e të dielës kanë hapur një kalim të ngushtë sa për t’u futur barkas dhe kanë punuar për disa orë, derisa njëri prej tyre u aksidentua me pasojë vdekjen. Sipas njoftimit, “kjo galeri nuk ka lidhje jo vetëm me “Darfo”, por me asnjë leje tjetër shfrytëzimi të dhënë në këtë zonë që ashtu si dhjetëra të tjera në këtë zonë të rrezikut, nuk do të jepen asnjëherë me leje shfrytëzimi. Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave ka qenë prezent që në momentet e para pas aksidentit dhe në bashkëpunim me organet e rendit dhe të prokurorisë, ka përcaktuar rrethanat e aksidentit. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njofton se “do të vijojë të bashkëpunojë me organet e rendit dhe Prokurorinë, në mënyrë që aksidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Gjithashtu, duke njohur opinion publik me detajet e këtij aksidenti tragjik, i bën thirrje individëve të caktuar në opozitë të mos vijojnë të bëjnë politikën e vdekjeve përpara mikrofonave”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›