Digjet magazina në Fushë-Krujë, dëmi 20 milionë lekë
Shkrumbohet magazina me goma dhe pajisje elektrike në autostradën Fushë Krujë-Lezhë, dëmi i shkaktuar llogaritet në 20 milionë lekë. Hetimi i policisë është përqendruar në dy pista lidhur me këtë ngjarje të rëndë, të cilat dyshohet të jenë zjarrvënia e qëllimshme dhe zjarri i shkaktuar si pasojë e shkëndijës elektrike. Magazina ndodhej në autostradën Fushë Krujë-Lezhë. Sipas burimeve nga policia e Krujës, zjarri ka rënë gjatë mesnatës së djeshme në magazinë, që ndodhej pranë fshatit Derven. Dëme në njerëz nuk ka pasur, pasi në momentin e shpërthimit të flakëve nuk ka pasur njeri në magazinë. Por, si pasojë e flakëve godina është djegur, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Personat e parë që kanë konstatuar zjarrin në magazinë kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe zjarrfikëset. Me ndërhyrjen e tyre është bërë e mundur që të shuhen flakët, por pa mundur të shpëtojnë mallin që ndodhej brenda. Ndërkohë që sipas burimeve policore, u ngrit një grup pune për të hetuar shkaqet e ngjarjes. Hetuesit kanë këqyrur vendin e ngjarjes, ndërsa kanë marrë në pyetje personat që punojnë aty. Njëra prej pistave është se zjarri është i qëllimshëm dhe kjo dyshohet të ketë ardhur si pasojë e konkurrencës. Por, nuk përjashtohet edhe pista e dytë, se zjarri mund të jetë shkaktuar si pasojë e një shkëndije elektrike. Hetimet vazhdojnë dhe pritet që shumë shpejt të jepet shkaku i zjarrit që shkaktoi 20 milionë lekë dëme.
Precedentët
Në muajin dhjetor të vitit 2008, dy zjarre të fuqishme dogjën krejtësisht dy magazina që ushtronin aktivitetin e tyre në autostradën Tiranë-Durrës, ku dëmi i shkaktuar kap vlerën e dhjetëra milionë eurove. Flakët e zjarrit shkrumbuan magazinat e pajisjeve hidro-sanitare të firmës “Henry” sh.p.k. që ndodheshin në kilometrin e 10-të në autostradën Tiranë-Durrës, më datë 2 dhjetor të vitit 2008. Rreth 12 makina zjarrfikësesh u angazhuan për shuarjen e flakëve të zjarrit, të cilat shkrumbuan plotësisht magazinat e pajisjeve hidro-sanitare, ndërsa ndërtesën e xhamtë gjashtëkatëshe të kësaj firme, zjarrfikësit mundën ta shpëtonin. Flakët e zjarrit nuk arritën të përhapeshin pranë kësaj ndërtese, duke shkrumbuar vetëm magazinat, dëmi i të cilave kapte vlerën e miliona lekëve. Ndërkohë, një tjetër fabrikë është djegur plotësisht nga zjarri. Bëhet fjalë për fabrikën e mobilieve “Ardeno”, e cila është përfshirë nga flakët në datën 5 dhjetor 2008, duke shkaktuar një dëm prej 10 milionë eurosh. Dyshimet për dy zjarrvëniet kanë qenë për shkak të konkurrencës, ndërkohë që u hodh dyshimi edhe për shkak të një shkëndije elektrike. U fol se vatra e zjarrit tek “Ardeno” ishte lokali që ndodhej në katin e tretë të ndërtesës, ndërkohë që sipas burimeve nga grupi hetimor, u fol se në atë orë të natës në autostradë nuk ka pasur energji elektrike. Kjo shtoi dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme. Flakët e zjarrit kanë rrezikuar edhe dy depozita gazi, të cilat nëse do të kishin shpërthyer, do të kishin shkaktuar një katastrofë të vërtetë.