E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, Kaczynski u kërkoi pilotëve të ulnin avionin në mjegull?

Pilotët që drejtonin avionin presidencial polak Tupolev mund të kenë qenë në presion për të bërë ulje në aeroportin e Smolensk në Rusi edhe pse kulla e fluturimeve u sugjeroi të mos i afroheshin tokës pasi terreni ishte i vështirë si pasojë e mjegullës së trashë në rajon.
"New Jork Times" citon burime nga grupi hetimor në Rusi duke thënë se hetuesit kanë siguruar shiritat e regjistrimit të cilët përmbajnë komunikimet e pilotëve me kullën e fluturimeve të aeroportit Smolensk.
Pasi u bë e qartë se Kulla i sinjalizoi pilotët për terrenin e vështirë, duket se një tjetër pyetje delikate do të dalë në pah: A ishin pilotët në presion për të bërë ulje në aeroportin Smolensk, përse ata nuk dëgjuan rekomandimet që vinin nga Kulla dhe veçanërisht paralajmërimin se ulja ishte e rrezikshme.
Dramatike duket se ka qenë vonesa e delegacionit zyrtar polak i cili po udhëtonte në Rusi për përkujtimin e ushtarakëve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Media ndërkombëtare përdor këtu një incident që ish-presidenti polak ka pasur me pilotët e avionit me të cilin fluturoi në vitin 2008 në Tbilisi.
Në gusht 2008, gjatë luftës së shkurtër të Rusisë me Gjeorgjinë, ish-presidenti polak Lech Kaczynski ka pasur një grindje me një pilot të avionit qëpo fluturonte në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi.
Sipas raporteve të kohës, ish-presidenti Kaczynski, i kërkoi në atë kohë pilotit të ulte avionin pavarësisht kushteve të rrezikshme. Por piloti nuk u pajtua dhe bëri ulje në vendin fqinj në Azerbaixhan.
Një gazetë lokale polake shkruan se ish-presidenti Kaczynski nuk e kaloi lehtë mosbindjen e pilotit.
Ai kishte kërcënuar duke thënë se "nëse ndokush do të bëhet pilot, ai nuk duhet të ketë frikë, pas kthimit në Poloni unë sigurisht do të merrem me këtë çështje".
Megjithatë piloti në fjalë nuk ishte ndëshkuar, ai madje mori medalje për punën e tij pas incidentit por më pas ministri polak i mbrojtjes tha se piloti në fjalë kaloi në depresion pas incidentit.
Ish-presidenti polak Lech Valesa tha se shpeshherë kapitenëte avionëve presidencialë këshilloheshin me stafin politik që ndodhej në bord, por sipas tij vendimarrja e fundit u takonte atyre që drejtonin avionin në situata të rrezikshme dhe delikate.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›