E Diel, 1 Nëntor 2026

Albin Kurti letër prokurorëve dhe gjyqtarëve: Mos shkoni në gjyq

Lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, nëpërmjet një letre, ka kërkuar nga avokatët, gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës të mos marrin pjesë në procesin gjyqësor kundër tij.
"Deri më sot disa avokatë dhe gjykatës kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtij procesi të montuar gjyqësor të EULEX-it, duke mos pranuar të jenë as avokatë mbrojtës, as pjesë e Panelit gjykues të EULEX-it", thuhet në letrën e Kurtit.
Ai i bën thirrje gjithashtu të gjithë avokatëve të Kosovës që të mos e pranojnë as ftesën e as trysninë e EULEX-it që të bëhen avokatë mbrojtës për të.
"EULEX-i synon që nëpërmjet pjesëmarrjes së thjeshtë fizike të avokatit mbrojtës, të sigurojë procedurën e nevojshme për dënimin tim", ka thënë Kurti.
Po ashtu, ai ka inkurajuar gjykatësit e Gjykatës së Qarkut, që të vazhdojnë t'i qëndrojnë trysnisë së EULEX-it dhe kryetarit të kësaj gjykate, Anton Nokaj, i cili me të gjitha mënyrat po synon ta gjejë zëvendësimin për gjykatësen Fllanza Kadiu, e cila me të drejtë u tërhoq nga paneli i EULEX-it.
"Cilido avokat, gjyqtar apo prokuror që vjen në seancën e nesërme, është pjesë e prokurorisë persekutuese të EULEX-it. çdo vendës që vjen në këtë proces gjyqësor do të përdoret nga EULEX-i për legjitimimin e persekutimit tim dhe vetë aktakuzën", thuhet në letrën e Kurtit.
Ky proces, sipas tij ka për qëllim ta kriminalizojë demonstratën si mënyrë e veprimit politik demokratik, si dhe ta izolojë sa më shumë Lëvizjen 'Vetëvendosje' nga zhvillimet aktuale dhe të ardhshme politike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›