Aksidenti, dy të rinj përfundojnë në shinat e trenit
LIBRAZHD/ Artan Hidri dhe Ermal Brengu ishin duke udhëtuar me motor pas mesnate në aksin Librazhd - Përrenjas
LIBRAZHD - Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy të rinjve ka ndodhur dje gjatë orëve të para të mëngjesit në aksin rrugor Librazhd - Përrenjas. Viktimat janë Artan Hidri dhe Ermal Bregu, ndërsa policia po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Sipas burimeve nga uniformat blu bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës së mbrëmshme ku dy të rinjtë kanë qenë duke lëvizur me motor.
Në vendin e quajtur "Kthesat e Dragostunjës", pranë një restoranti, ka ndodhur edhe aksidenti. Ka qenë pikërisht mbikalimi hekurudhor, tuneli i katërt, ku dy të rinjtë kanë dalë nga rruga dhe kanë rënë mbi shinat e trenit bashkë me motorin. Ngjarja mendohet të ketë qenë mbas mesnate duke gdhirë dita e djeshme. Viktimat janë Artan Hidri nga Rrodokali i Pogradecit dhe Ermal Bregu nga Përrenjasi.
Ka qenë pronari i restorantit personi që ka parë dy trupat në mëngjes mbi shinat e trenit dhe ka njoftuar policinë e Librazhdit, e cila ka vajtur në vendngjarje ku po heton për shkaqet dhe rrethanat që çuan në vdekjen e dy të rinjve. Nga të dhënat paraprake mendohet që shkak mund të ketë qenë rruga me lagështirë, pasi gjatë natës kishte rënë shi.
Kjo dyshohet të ketë bërë që motori të dalë jashtë rrugës, duke mos iu krijuar asnjë mundësi të rinjve të shpëtonin. Fakti që ata janë gjetur disa orë pasi janë aksidentuar, i ka çuar në zero çdo shans për mbijetesë.