Të shtëna në qendrën e emigrantëve, të paktën 12 viktima
NJU JORK/ Një njeri i armatosur mori peng rreth 40 vetë, prej të cilëve 12 rezultojnë të vdekur, 26 të plagosur
NJU JORK - "Një njeri i armatosur vrau të paktën 12 vetë, ndërsa mori peng dhjetëra vetë në Nju Jork", u shpreh guvernatori i këtij shteti, David Paterson. Megjithatë, nga ana e policisë nuk ka një deklaratë përfundimtare lidhur me numrin e viktimave, ndërsa tragjedia nuk i kishte mbyllur dyert as në orët e vona të mbrëmjes.
26 vetë të tjerë mësohet të jenë plagosur gjatë të shtënave të zjarrit në ndërtesën e Shoqërisë Qytetase Amerikane (ACA) në Bingamton. Personi i armatosur kishte vënë makinën në derën e pasme duke e bllokuar atë, në mënyrë që të pengonte arratisjen e njerëzve që ndodheshin në ndërtesë.
Viktimat
Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, David Paterson konfirmoi se 12 ose 13 vetë janë vrarë. Ai tha se situata ishte ende në zhvillim, por që ishte një ditë tragjike për Nju Jorkun.
"Po monitorojmë situatën dhe e kam drejtuar Policinë e Shtetit që ta ndihmojë Departamentin e Policisë së Bingamtonit me çdo mjet të mundshëm", u shpreh ai për gazetarët. Ndërkohë një zyrtar i paidentifikuar u shpreh për "Associated Press" se FBI-ja kishte dërguar negociues në vendngjarje. Të paktën katër vetë janë parë të nxirren jashtë ndërtesës në barrela.
Gjendja e tyre nuk dihet. Një zëdhënëse e spitalit u shpreh për "BBC"-në se njerëz të ndryshëm ishin shtruar me dëmtime "serioze". Suzan Lineroud tha se spitali ishte bërë gati për të pritur ende më tepër persona dhe se stafi ishte në gatishmëri.
Dëshmitarët
Dëshmitarë okularë u shprehën se një burrë aziatik rreth të njëzetave hyri në ndërtesën e ACA-s paraditen e së premtes. Ai u përshkrua nga media lokale si një person i gjatë 160-180 cm dhe që kishte veshur një xhaketë ngjyrë jeshile të hapur dhe syze rrumbullake të errëta.
Kryebashkiaku i qytetit, Methju Rajan, u shpreh për gazetarët se njeriu i armatosur kishte një pushkë të fuqishme. Fillimisht u raportua se grupe të ndryshme njerëzish ishin fshehur në ndërtesë, por dëshmitarët thanë se kishin parë shumë persona të largoheshin.
ediat lokale deklaruan se shtëpitë ngjitur u evakuan dhe policë-komando u shfaqën në vendngjarje. Apartamentet dhe një shkollë aty pranë u mbyllën dhe disa rrugë u bllokuan. Në faqen e saj të internetit ACA deklaron se ndihmon emigrantët dhe refugjatët me këshillime.
Një person i dyshuar si autori u gjet më vonë i vdekur, u shprehën zyrtarë federalë për agjencinë e lajmeve "Associated Press". Policia ndërkohë ka ndaluar dy vetë jashtë ambienteve të ndërtesës. Megjithatë, ende nuk dihen shkaqet dhe as rrethanat në të cilat ka vepruar personi i armatosur.
Përgatiti: