Koplik, shtohen familjet që kërkojnë ndihmë ekonomike
SHQETËSIMI/ Kreu i këshillit bashkiak shprehet se kanë kërkuar rritje të fondit, por ai vazhdon të jetë i ulët
SHKODËR - Ndërsa numri i familjeve që kërkojnë të trajtohen me ndihmë ekonomike në qytetin e Koplikut në rrethin e Malësisë së Madhe vjen në rritje, fondi i vënë në dispozicion për këtë nga qeveria jo vetëm nuk shtohet, por është mjaft i vogël. Shqetësimin e bën publik kryetari i këshillit bashkiak të Koplikut, Ardian Hysa.
Ai shprehet se aktualisht në qytetin me rreth 12 000 banorë trajtohen me ndihmë ekonomike 400 familje, ndërsa çdo muaj janë 30-50 familje të reja që paraqiten para zyrave përkatëse në Bashkinë e Koplikut dhe kërkojnë të trajtohen me këtë ndihmë. Por fondi i akorduar nga qeveria shqiptare është vetëm 1 milion lekë në muaj dhe ai nuk ka ndryshuar.
Sipas Hysës, me gjithë kërkesat e bëra për rritje të fondit të kësaj bashkie për këtë qëllim, asgjë nuk është bërë, ndërsa shteti nuk e mban parasysh faktin se në këtë njësi të qeverisjes vendore vendosen çdo muaj familje të reja që vijnë nga zonat e tjera të rrethit, kryesisht nga zonat malore. "Këshilli i bashkisë dhe administrata e kanë tepër të vështirë të bëjnë shpërndarjen e këtij fondi mjaft të paktë", thotë Hysa.
Më tej ai shton se ky shqetësim është edhe i këshilltarëve të tjerë, ndërsa pohon se është absurd fakti që një komunë me 4000 banorë merr nga shteti për familjet në nevojë një fond dy herë më të madh se ai i bashkisë Koplik, edhe pse kjo është njësia më e madhe e qeverisjes vendore në rrethin e Malësisë së Madhe.
"Varfëria e kriza ekonomike janë prezente dhe në Koplik si kudo tjetër, por shteti duhet të jetë i drejtë me të gjithë dhe të mendojë për atë kategori që nuk ka asnjë mundësi tjetër sigurimi jetese veç ndihmës ekonomike",- thotë Hysa.
Aktualisht shuma e parave me të cilën trajtohen me ndihmë ekonomike familjet në qytetin e Koplikut është 1600 - 4200 lekë në muaj, sipas numrit të pjesëtarëve të familjes.
Ardian Hysa në emër dhe të këshilltarëve të tjerë të këshillit bashkiak të Koplikut kërkon nga shteti shqiptar rritjen e fondit për trajtimin me ndihmë ekonomike të banorëve të këtij qyteti dhe mosdiferencimin e tyre.