Anëtari bandës së Gaxhait, ekstradohet nga Italia
Ekstradohet nga interpoli shtetasi Sokol Sinomati, ish- pjesëtar i bandës së Gaxhait, që aktualisht është në gjykim për krimet e kryera në periudhën 1997- 2002, në Vlorë.
I ekstraduari i djeshëm akuzohet se në bashkëpunim me Armando Sulejmanin kanë vrarë më 26 qershor të vitit 2002, Elton Taton. Ndërsa i pari është dënuar me 20 vite burg për këtë krim, Sinomati është dënuar nga Gjykata e Apelit të Vlorës me 25 vite burg për vrasjen e Tatos.
Sipas policisë, 29-vjeçari nga Vlora është ekstraduar nga Interpol Tirana nga Italia, në bashkëpunim me Zyrën e Interpol Tiranës, pasditen e sotme në bazë të vendimit të dënimit të dhënë ndaj tij nga Gjykata e Apelit të Vlorës në shtator të vitit 2003. Sinomati pas krimit ndaj Tatos është larguar jashtë vendit.
Pesë vite më parë ai është arrestuar nga autoritetet italiane, ndërsa rezultonte në listën e personave të kërkuar nga autoritetet shqiptare të drejtësisë, dhe ndaj tij kishte një vendim dënimi.
Ndërkaq veç krimit të vitit 2002, Sinomati është akuzuar gjithashtu se gjatë periudhës së trazirave të vitit 1997 dhe gjatë vitit 1998, ka qenë përfshirë si pjesëtar i bandës së Gaxhait, si dhe është akuzuar e më pas dënuar se në bashkëpunim me persona të tjetë ka vrarë shtetasin Elton Taton në 26 qershor të vitit 2002.
Atentati ndaj Elton Tatos ka ndodhur pranë një lokali në zonën e Skelës pas një sherri që kishin patur disa orë më parë midis dy grupeve te njohura ne Vlorë.
Sipas policisë, në momentin e vrasjes së Tatos ka patur shkëmbim zjarri midis dy grupeve rivale, ku pati dhe një të plagosur tjetër. Sinomati kërkohej që prej vitit 2002, kur ai ishte identifikuar nga policia e këtij qyteti si dhe nga gjykata si vrasësi i Tatos si dhe i dënuar nga gjykata me 25 vjet burg.
Pas arrestimit të tij, interpoli Italian ka bërë të mundur komunikimin me autoritetet policore dhe Interpol Tiranën për ekstradimin e Sinomatit që është finalizuar ditën e sotme. Krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve, ka zbuluar identitetin e të kërkuarit. Ndërkohë, Sokol Sinomati,është akuzuar dhe si atentatori i dytë i Robert Borakut dhe Elton Tatos.
Sinomati mbas vrasjes të shtetasit Elton Tato në bashkëpunim me persona te tjerë ështe larguar nga Shqipëria kryesisht në Itali ku dhe është bërë kapja dhe ekstradimi i tij në bashkëpunim me interpolin Italian me atë shqiptar. Sinomati do të dërgohet në burgunn e sigurisë së lartë për vuajtjen e dënimit.
Aktualisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj anëtarëve të bandës së Gazmend Brakës i njohur si Gaxhai. Prokuroria ka përfunduar paraqitjen e provave dhe argumenteve të saj ndërsa, aktualisht procesi është në fazën e paraqitjes së pretendimeve të mbrojtjes.
Gjatë pretencës së saj, organi i akuzës ka kërkuar dënimet, që i pandehuri Sinomati i ekstraduar dje nga Interpoli të dënohej me burgim të përjetshëm.
Të njëjtin dënim prokuroria ka kërkuar edhe për të akuzuar të tjerë mes të cilëve edhe ndaj Gazmend Brakës.