Ferexheja, largohet nga shkolla nxënësja 14-vjeçare
SIMBOLET/ A.N. nuk është pranuar nga drejtoria pas urdhrit të ministrit të Arsimit për veshjen nëpër shkolla
BURREL - Fenomeni i të shkuarit në shkollë me ferexhe, pas largimit të një nxënëseje të vitit të tretë në një prej shkollave të mesme të Burrelit, jo vetëm që nuk është ndërprerë, por ka vazhduar më tej, madje duke pasur si protoganiste një vajzë më të vogël në moshë. Bëhet fjalë për një nxënëse të klasës së nëntë të shkollës 9-vjeçare "31 Korriku". Ajo nuk është pranuar në shkollë, ndërsa çështja duket se do të përfundojë në gjyq.
Ndalimi
Drejtoria e shkollës 9-vjeçare "31 Korriku" në Burrel largoi dje nga mësimi nxënësen e klasës së nëntë, A.N. 14 vjeçe, pasi ajo u paraqit në shkollë me ferexhe. Nga ana e drejtuesve të shkollës është dhënë urdhër i prerë që ajo të shkonte në shtëpi dhe të vinte me veshje sipas rregullores, por vajza është larguar nga mësimi dhe nuk është paraqitur më në shkollë, duke thënë se nuk ka shkelur ligjin dhe se veshjen nuk do ta hiqte.
Kështu, pas nxënëses së vitit të tretë të shkollës së mesme "Pjetër Budi" në po këtë qytet, edhe vajza 14-vjeçare do t'i drejtohet gjykatës për zgjidhjen e këtij problemi, duke u shënuar si i dyti rast që nxënësit i drejtohen organeve të drejtësisë për të mundësuar shkollimin e mëtejshëm të tyre me ferexhe.
Besohet se vajza në fjalë e ka mbajtur veshjen me ferexhe që prej fillimit të vitit, por tani me daljen e urdhrit të ministrit të Arsimit, ajo është ndaluar të vazhdojë mësimin me këtë veshje. Ministri Fatos Beja dha urdhër të prerë që çdo nxënës që nuk paraqitet me veshjen e përshtatshme në shkollë apo që paraqitet me shenja indoktrinimi fetar, të mos lejohet në mësim në shkollat publike, shkolla të cilat sipas Kushtetutës ruajnë frymën laike në gjithçka.
Reagimet
E ëma e vajzës 14-vjeçare ka apeluar Ministrinë e Arsimit dhe Zyrën Arsimore të Matit të lejojnë vajzën e tyre për të vazhduar shkollën, ndërsa konfirmoi se mësuesit e shkollës i kanë premtuar se do t'i japin mësim vajzës edhe në shtëpi, pasi ajo është ndër nxënëset më të mira të shkollës. E ëma është shprehur se nuk do ta lërë sikur në gjykatën e Strasburgut ta çojë këtë çështje. "Si ka mundësi të ndodhë kjo, - thotë ajo, - kur në Angli "motrat" tona lejohen të punojnë në spitale, janë shofere dhe punojnë në institucione të tjera dhe askush nuk i ndalon për shkak të veshjes së tyre, sipas besimit që manifestojnë?!"
Ndërkohë që komuniteti mysliman në Burrel ka reaguar se po shkelen të drejtat e këtij besimi dhe ligji themeltar për të drejtat e shtetasve në një vend si Shqipëria ku besimi lejohet me ligj, duke qenë një prej të drejtave themelore universale të njeriut.
Vetëm disa ditë më parë, një tjetër vajzë u refuzua që të vijonte mësimin pasi u paraqit në shkollë me ferexhe. Nxënësja e vitit të tretë, Florida Kola, kishte vendosur që të zbatonte rregullat e besimit të saj, por nga ana e drejtorisë së shkollës, veshja e saj është quajtur jo e përshtatshme për një institucion laik. Për këtë, të afërmit e vajzës i janë drejtuar Prokurorisë.