Aksidenti, dy të vdekur në autostradën Tiranë- Durrës
Hektor Qesja e Hamdi Bërdaku kanë gjetur vdekjenpas aksidentit e rënies së makinës në një kanal me ujë
DURRËS- Dy të rinj kanë humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik. Ngjarja rrugore ndodhi mëngjesin e djeshëm pranë mbikalimit të Maminasit në autostradën Durrës-Tiranë, kur një automjet me të cilin po udhëtonin dy të rinjtë ka dalë nga rruga. Për pasojë, mbetën të vdekur në vend dy të rinjtë Hektor Qesja, 31-vjeç dhe Hamdi Bërdaku, 25-vjeç. Policia rrugore mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Nga hetimet e para rezulton se aksidenti ka ardhur si rrjedhojë e shpejtësisë së madhe më të cilën po udhëtonte automjeti. Makina doli nga rruga dhe përfundoi në një pellg të madh me ujë. Dy të rinjtë kanë marrë plagë të rënda ndërsa mendohet se vdekja e tyre mund të ketë ardhur nga mbytja pasi makina e tyre ishte mbushur me ujë.
Aksidenti
Dy të rinjtë nga Kruja, Hektor Qesja, 31-vjeç dhe Hamdi Bërdaku, 25-vjeç po udhëtonin me automjetin e tyre tip "BMË X5" me targë TR 6313 K nga Durrësi në drejtim të Tiranës. Rreth orës 4:30 të mëngjesit të djeshëm kur automjeti po ndodhej pranë mbikalimit të Maminasit ka ndodhur dhe tragjedia. Makina e cila drejtohej nga 25-vjeçari Hamdi Bërdaku ka dalë nga rruga duke rënë në një kanal me ujë. Burime nga policia thanë se dy të rinjtë kishin marrë plagë të rënda të cilat u kanë shkaktuar atyre gjendje shoku. Asnjëri prej tyre nuk ka mundur të dalë nga automjeti ndërsa dyshohet se më pas kanë gjetur vdekjen nga mbytja pasi makina është mbushur me ujë. Të parët që konstatuan aksidentin lajmëruan policinë e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur nxjerrjen e trupave.
Policia
Policia ka mundur të nxjerrë nga makina e mbushur me ujë trupat e pa jetë të dy të rinjve. Ndërsa është përpjekur të kryejë dhe identifikimin e viktimave. Për disa orë njëri prej viktimave, pikërisht 25-vjeçari Hamdi Bërdaku i cili ishte dhe drejtuesi i mjetit, u identifikua si Roland Berhami 26-vjeç. Kjo për arsye se gjatë hetimeve të para, policia gjeti në xhepin e 25-vjeçarit një çertifikatë me emrin Roland Berhami, çka shkaktoi edhe njoftimin e gabuar të emrit të njërit prej viktimave. Por pak orë pas aksidentit u bë e mundur dhe identifikimi i viktimës. Trupat e pa jetë të dy të rinjve u transportuan në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme. Ndërkohë që ekspertët e policisë nisën hetimet për të zbardhur dhe rrethanat e këtij aksidenti të rëndë që u mori jetën dy personave. Nga hetimet e para dyshohet se makina ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi të madhe jashtë normave të lejuara të kodit rrugor, rruga e lagësht për shkak të shirave ka stimuluar aksidentin e rëndë. Megjithatë burime nga policia e Durrësit thanë se po punohet për të zbardhur me saktësi shkaqet e këtij aksidenti.
Fier, 72- vjeçari përplaset nga makina
FIER- Aksidenti i parë për këtë vit në rrethin e Fierit është shënuar paraditen e djeshme në rrugën nacionale Fier –Berat duke i rrezikuar jetën një të moshuari. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Roskovec kur Agush Tomori, 72-vjeç, po kalonte anës rrugës në momentin që është përplasur nga një automjet. Ai ka qënë duke udhëtuar si këmbësor kur pa pritur është përplasur në asfalt . Ka qenë një mjet tip-Benz me targa të Beratit që drejtohej nga Iljaz .M,i cili për shkak të pakujdesisë ka goditur 72-vjecarin Tomori, banor i fshatit Vidhishtë të Roskovecit. I aksidentuari u transportua menjëherë në spitalin rajonal të Fierit ku iu nënshtrua një operacioni. I moshuari kishte marrë fraktura në njërën këmbë si dhe goditje në kokë. Sipas mjekëve, gjëndja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Policia rrugore mbërriti në vendin e ngjarjes e cila pasi stabilizoi trafikun rrugor, mori në pyetje drejtuesin e mjetit. Sipas ekspertëve rrugorë, aksidenti është shkaktuar nga mos zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të mjetit. Loli Çeçoaliaj