Taksa e Sheshtë, financat dështojnë me faturat
Faturat e premtuara nga ana e ministrit të Financave në shitjet e biznesit të vogël kanë munguar tërësisht
Në një kohë që asnjë njësi shitje nuk lëshon fatura, mbetet e pamundur nxjerrja e fitimit për biznesin e vogël
Qeveria nuk ka bërë asgjë deri tani për të bërë të mundur zbatimin e ligjit dhe shitjen e mallit me fatura. Për të realizuar këtë projekt, që është një nga pjesët e rëndësishme të zbatimit të Taksës së Sheshtë, nuk është bërë asnjë hap nga financat, duke mos ndryshuar asgjë në shitjen me pakicë, në një kohë që ligji ka hyrë në fuqi në 1 janar 2008.
Reforma fiskale e premtuar nga ana e Ministrisë së Financave në shitjet përfundimtare të biznesit ka dështuar që në nisje. Në të gjitha njësitë e vogla të shitjeve nuk është parë asnjë faturë tatimore e regjistruar sipas kërkesave të Ministrisë së Financave, që do të mund të lejonte edhe zbatimin e Taksës së Sheshtë për këtë kategori. Në këto kushte, njësitë e tregtimit të përfshira në kategorinë biznes i vogël kanë vazhduar që të shesin pa fatura, ndërsa tatimi prej 10% ende nuk dihet se si do llogaritet në këto kushte. Edhe ligji i ri i miratuar për pajisjet fiskale e ka gjetur të papërgatitur sipërmarrjen, në një kohë që nga Ministria e Financave nuk janë shpallur ende kompanitë që duhet të merren me menaxhimin e kasave dhe anën teknike të tyre.
Si do caktohet fitimi
Ministri i Financave e vlerësoi ligjin e ri që e fut biznesin e vogël në skemën e taksës së sheshtë si përmbylljen e reformave fiskale në vend. Kjo reformë sipas kreut të Financave, Bode, do të fillonte që në 1 janar 2008, por në të vërtetë blerësit shqiptarë nuk kanë prekur ende faturë tatimore nga ana e biznesit të vogël, ndërsa këta të fundit duket se as nuk janë në dijeni të një ligji, që i detyron ata që të mbajnë bilanc financiar dhe justifikojnë shpenzimet me faturat e shitjeve. Nëse shitjet nuk janë të dokumentuara për çdo blerës që troket në njësitë e shitjes dhe njëkohësisht ato të jenë në një sistem të monitoruar, atëherë çfarë vlere do të kishte futja e këtij biznesi në Taksën e Sheshtë.
Ngatërresa e taksave
Në fund të vitit 2008, çdo biznes i vogël do të paguajë një Tatim mbi fitimin 10%. Por problemi mbetet se sa është ky fitim që do të tatohet nga ana e tatimorëve. Nëse biznesi i vogël nuk shet me fatura, fakt ky që po vërtetohet që në fillimin e këtij viti, atëherë ky ligj do të jetë thjesht një dështim i radhës. Tatimet e biznesit do të vazhdojnë që të caktohen me anë të ashtuquajturave metoda alternative. Por nga ana e Ministrisë së Financave, është marrë në konsideratë edhe mundësia e madhe e dështimit të këtij ligji. Gjatë gjithë vitit, biznesi i vogël do të vazhdojë që të paguajë tatimin mbi bazën e ligjit të vjetër. Ky ligj njeh si detyrime mujore të biznesit, 1.5% të xhiros vjetore. Ndërsa llogaritja e taksës së sheshtë, për herë të parë do të realizohet në fillim të vitit 2009.
Skema
Një skemë e tillë e përjashton biznesin e vogël nga pagimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, në formën e saj klasike. Por futja e Tatimit mbi Fitimin në masën 10% për biznesin e vogël, do t'i detyrojë këto njësi që të blejnë dhe të shesin me fatura, pasi tashmë ato do të detyrohen që të kenë një bilanc financiar, ku të evidentohen shpenzimet dhe të ardhurat. Nga ana e Ministrisë së Financave, futja e biznesit të vogël në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe hartimi i ligjit të ri për procedurat tatimore, janë edhe reformat e fundit thelbësore në fushën e tatimeve. Skema e re e Ministrisë së Financave e llogarit 10% tatimin mbi fitimin para taksimit, si një taksë mbi të ardhurat personale që do të paguhen nga sipërmarrësi. Kjo e ardhur e realizuar nga ana e sipërmarrësit do të paguhet çdo muaj, dhe vlera në përqindje është e njëjtë me taksën e të ardhurave personale, duke arritur në këtë mënyrë edhe premtimin e qeverisë për një taksë të sheshtë. Një skemë e tillë do të sjellë rritjen e tatimeve për biznesin e vogël, pasi në këtë rast edhe deklarimi i faturave do të jetë më i saktë.
Box
Taksa e sheshtë
Me anë të nivelizimit në 10 për qind të një pjese të taksave dhe tatimeve që prej 1 janarit të vitit 2008, Shqipëria është bërë një vend ku aplikohet taksa e sheshtë. Pavarësisht kësaj Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që është edhe burimi kryesor në të ardhurat e buxhetit të shtetit, ka mbetur në nivelin 20% dhe nuk ka ndërmend që të ulet edhe gjatë vitit 2008. Taksat që kanë një nivel të përbashkët në 10 për qind tashmë janë disa, ku përfshihet tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin i biznesit të madh dhe të vogël, tatimi mbi burimin. Në tatimin mbi të ardhurat personale, përfshihen tatimi mbi pagat i cili përjashton vetëm pagat deri në 30 mijë lekë, nga tatimi i 10 mijë lekëshit të parë të kësaj page. Ndërsa për pagat mbi 30 mijë lekët tatimi është 10% për të gjithë pagën. 10 për qind do të paguajnë edhe biznesi i madh, tatim mbi fitimin si edhe bizneset e vegjël gjatë vitit 2008.