E Shtunë, 31 Tetor 2026

PROTESTA: Mijëra vlonjatë ngrihen kundër veprave të naftës

Turma, e nisur prej sheshit të Flamurit, ka pasur ndalesën e parë pranë ish- kampit të pionierëve ku është vendosur njësia e forcave të ndërhyrjes së shpejtë
VLORË- Mijëra qytetarë të Vlorës i janë drejtuar paraditen e djeshme vendit ku po ndërtohen veprat me bazë nafte, në një protestë masive. Mjete me flamurë ku shkruhej "Rezistence" deri në "Referendum", autobusë ku dallohej po flamuri i janë drejtuar zonës në të cilën janë mbledhur në një miting më shumë se pesë mijë vetë për t'i thënë "JO" veprave me bazë nafte në Vlorë. Turma, e nisur prej sheshit të Flamurit, ka pasur ndalesën e parë pranë ish- kampit të pionierëve ku është vendosur njësia e forcave të ndërhyrjes së shpejtë. "E vetmja forcë jonë politike është Vlora"- kanë hapur mitingun aleancistët, miting ky që ka bashkuar shumë qytetarë më pas në thirrjet "Vlora, Vlora" dhe "Referendum".
"Jetojmë në një shtet demokratik, tha në fjalën e tij kryetari i Aleancës për mbrojtjen e gjirit të Vlorës, Rezart Alliaj, dhe si i tillë kemi të drejtë të themi zërin tonë, fort, çka nënkupton referendumin dhe për këtë jemi afër fitores. Ai u ka bërë thirrje pushtetarëve dhe deputetëve, të mos fshihen, të mos luajnë me kukulla, ku të kërkojnë në tavolina "Të urtët e Vlorës", por të vijnë këtu. Ne dhamë firmat dhe kjo do të thotë shumë. Atje ishin 14 mijë, këtu jemi pesë mijë, për t'i thënë Stop përfundimisht veprave që po ndërtohen.
Ndërkohë Besnik Lula, një nga të dhunuarit e ndërhyrjes së policisë pak ditë më parë, është shprehur se Vlora do të shpëtojë nga këto vepra të zeza. "Me forcën e të gjithëve bashkë, do të bëjmë të mundur t'i zhdukim bashkërisht. Këto vepra janë pa leje se nuk kanë marrë lejen e komunitetit. Është e shkruar e zeza mbi të bardhë që është e drejta e komunitetit të vendosë. Të japin të drejtën për referendum dhe vetëm nëse dalin votat pro këtyre veprave, do të jemi ne që do të ndihmojmë në kryerjen e tyre. Ne tashmë do të shkojmë të mbjellim pisha, atje ku i kanë prerë",- ka ftuar qytetarët Lula. Ai dhe përfaqësues të tjerë të aleancës kanë pohuar se banorët e Vlorës do t'i mbjellin sërish pishat e prera nga "La Petrolifera", e cila synon të ndërtojë një tubacion që do të lidhë TEC-in me përpunimin e naftës.
Publicisti i njohur Ardian Klosi tha në fjalën e tij se kjo është lëvizja e parë e mirëfilltë dhe e vërtetë qytetare. "Shumica e këtyre lëvizjeve janë politike, por kjo jo. Kjo ka në qendër të saj vetëm Vlorë. Në një takim të mëparshëm, ministri i Ekonomisë na ka thënë se nuk do të lejohet kurrë referendum në Vlorë, sepse do të kërkojnë të gjithë pastaj. Ky është niveli i shtetit barbar që e quan referendumin, të drejtën e votës një rrezik. Industria e naftës këtu në bregdet shkatërron çdo alternativë tjetër",- tha gjatë fjalës së tij Ardian Klosi. Sipas tij, e drejta e votës së qytetarëve të Vlorës duhet të jetë ajo që do të vendosë nëse do të ngrihen apo jo këto vepra me bazë nafte në bregdet.
Sazan Guri në fjalën e tij ka kujtuar qytetarët se "Ju keni tokën tuaj, ndërsa ata tokën një euro. Ju keni argumentin shkencor dhe ata kanë mashtrimin. Shtetit i erdhi fundi kur goditën 200 policë 50 qytetarë. Jo vetëm që përdorën dhunë, por këtë e bënë nga frika e fitores së tyre",- tha specialisti Guri. Ndërkohë juristja Drita Aga tha se ajo që bashkon të gjithë të pranishmit është Vlora. "Ne nuk jemi kundër institucioneve, po jemi për mbrojtjen e tyre",- tha Aga. "Vlora po emancipon gjithë Shqipërinë. Ne mbrojmë jetën, mbrojmë të drejtën, ndërsa politika ngeli në bisht të kësaj situate",- ka vijuar më tej gazetarja Dezdemona Stefa.
Alliaj: Ne do të mbjellim pisha sot brenda tyre, duke u dhënë mesazhin se janë në tokë të gabuar
Gratë protestuese mbjellin katër rrënjë pishe
VLORË- Pas mitingut të zhvilluar pranë godinës së FNSH, qytetarët i janë drejtuar vendit ku ndërtohet TEC. Forca të shumta policie, të mobilizuara për mitingun, nuk kanë munguar në zonë, ndërsa një rresht efektivësh ishte vendosur para derës hyrëse të TEC. Me thirrjet Vlora, Vlora dhe duam referendum turma i është drejtuar veprës dhe janë hedhur thirrje për të hyrë brenda veprës. Por turma është prapsur nga kryetari i Aleancës Rezart Alliaj, i cili ka bërë thirrje për qytetari. "Çështja tani është më tepër se individuale tha ai, ajo i përket Vlorës dhe ne duhet të tregojmë se nuk jemi njerëz të dhunës. Ne do të mbjellim pisha sot brenda tyre, duke u dhënë mesazhin se janë në tokë të gabuar, e më pas të vijojmë mbjelljet masivisht madje. Jemi në të drejtën tonë dhe kërkojmë referendum",- tha Alliaj, i cili ka ndërmjetësuar që të hynin brenda rrethimit katër gra. Këto të fundit kanë mbjellë dy rrënjë pishash brenda rrethimit ku po kryhet vepra, ndërsa janë shoqëruar nga entuziazmi i qindra qytetarëve që kanë qenë në hyrje të zonës. Kjo vepër simbolike do të pasohet nga dhjetëra qytetarë të tjerë të vlorës, të cilët ditët në vazhdim do të mbjellin pemë të tjera pishe në vendin e shkatërruar nga firma italiane. A. Peçi
Protesta e Aleancës është mbikëqyrur nga dhjetëra forca policie, të cilat kishin blinduar të gjithë zonën përreth
Flamuj shqiptarë në vend të tabelave të Petroliferës
VLORË- Marshimi i gjatë i mijëra qytetarëve të Vlorës është ndalur përpara dyerve të kompanisë italiane "Te Petrolifera". Edhe këtë herë turma është vendosur përballë rreshtit të uniformave blu të policisë, të cilët kishin "blinduar" të gjithë zonën. Ndërkohë shumë efektivë të tjerë policie, të veshur dhe civilë ndodheshin në zonë, si dhe në brendësi të pyllit përreth, së bashku me mjete të policisë.
"Vetëm të bashkuar do të shpëtojmë Vlorën",- i është drejtuar qytetarëve Sadrit Danaj, nënkryetar i Aleancës, ndërkohë që turma ka kërkuar t'i afrohet më tepër veprës, duke çarë rreshtin e policisë dhe drejtuar më pas brendësisë së zonës ku po kryhet ndërtimi. Qytetarët janë vendosur në zonën që po ndërtohet, në të cilën aktualisht nuk ka pasur as punëtorë dhe as mjete, madje një prej aleancistëve ka vrapuar të vendosë një flamur në qendër të zonës. Aleancistët e kanë cilësuar këtë hap të sigurt drejt fitores së tyre në luftën për referendum. Endri, një nga përfaqësuesit e lëvizjes studentore për aleancën tha se nuk do të mund të ndalen tashmë më studentët. "Ne kemi nisur ta themi tashmë qartë fjalën tonë dhe jemi të vendosur deri në vendosjen e referendumit",- tha ai gjatë fjalës së tij.
Pas brohoritjeve të gjata, sërish qytetarët janë ftuar të reagojnë qetësisht, duke dalë nga mjediset e kompanisë italiane "La Petrolifera". Disa studentë, i janë drejtuar tabelës që jep informacion në hyrje të veprës, duke e hequr atë dhe duke vendosur në vend të saj dy flamuj shqiptarë. Aleancistët janë larguar duke shprehur vendosmërinë e vijimit të protestave si dhe fitimin e së drejtës për vetëvendosje nëpërmjet referendumit. Në protestat e djeshme nuk është shënuar asnjë incident. Në të kanë marrë pjesë aleancistë të Vlorës si dhe persona të tjerë që mbështesin lëvizjen e tyre të ardhur nga Tirana. Protesta ka shënuar pikë kulmore në lëvizjen më tepër se trevjeçare të aleancës, ku pjesëmarrja ka qenë tepër e madhe. PRECEDENTI
Rreth 50 protestues përfunduan në komisariat. Një pjesë prej tyre u përball me dhunë fizike e presione të ndryshme
Policia shpërndau përdhunisht protestën
VLORË- Protesta e djeshme ka qenë tepër e qetë dhe paqësore por vetëm pak ditë më parë ajo ka njohur një nga ditët e saj më të zeza. Më tre janar policia e Vlorës dhe forcat speciale kanë shpërndarë përdhunisht protestën e nisur më 26 dhjetor të vitit të kaluar. Ata kanë hyrë me forcë në turmën e protestuesve dhe duke përdorur shkopinj gome e sende të tjera të forta, kanë arritur që t'i "neutralizojnë" ata. Më pas janë shoqëruar forcërisht në komisariatin e policisë edhe rreth 50 protestues. Sipas dëshmitarëve okularë që ndodheshin në vendin e ngjarjes në momentin që ka ndërhyrë policia, gjithçka ka nisur rreth orës 16 e 30 minuta. "Nga të dy anët kanë ardhur rreth 200 forca speciale të pajisura me antiplumb dhe shkopinj gome. Kanë nisur të bërtasin aty kanë krijuar dhe panik. Të gjithë njerëzit që kanë qenë atje, gra, studentë dhe gjithë të tjerët i kanë ulur në shesh dhe kanë nisur të qëllojnë nënkryetarin e Aleancës dhe disa qytetarë të tjerë. Ishin shumë më tepër së ne. Kanë ardhur me fjalët me të ndyra. Më pas disave iu janë vënë prangat dhe i kanë shoqëruar me forcë në polici",- rrëfen një nga protestuesit që ka mundur të dalë nga komisariati, Besmir Lulo. Edhe persona të tjerë, të cilët kanë arritur që të shpëtojnë pa u marrë forcërisht në polici rrëfejnë se janë përballur me dhunën e uniformave blu. Sipas tyre, policia ka nisur të godasë me shkopinj gome këdo që i ka dalë përpara. Më pas protestuesit janë detyruar që të shtrihen përdhe ku u janë vënë edhe prangat. Më shumë nga të gjithë është dhunuar Besnik Lula. Në përfundim të aksionit të policisë kanë përfunduar në komisariat rreth 50 protestues të ndryshëm.
26 dhjetor 2007
Si nisi protesta në dyert e kantierit
Protesta e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës ka nisur paraditen e 26 dhjetorit të vitit të kaluar. Dhjetëra përfaqësues të Aleancës kanë marshuar nga Vlora deri në hyrjen e kantierit të ndërtimit të firmës italiane "La Petrolifera". Ata kanë arritur që të bllokojnë rrugën duke krijuar një barrikadë me trupat e tyre dhe goma makinash. Në fund të ditës ata ia arritën qëllimit të bllokimit të punimeve për ngritjen e TEC-it. Kërkesa kryesore e protestuesve ishte zhvillimi i një referendumi lokal në mënyrë që qytetarët e Vlorës të kishin mundësinë të thoshin fjalën e tyre në lidhje me ngritjen apo jo të një projekti me bazë nafte në bregdetin e tyre. Përfaqësuesit e Aleancës qëndruan të palëkundur në hyrje të kantierit, madje ata kaluan edhe mbrëmjen e ndërrimit të viteve aty. Ata sakrifikuan festën më të dashur të shqiptarëve, vetëm për të arritur qëllimin e tyre, zhvillimin e një referendumi. Gjatë kësaj kohe, forca policore kanë "vizituar" disa herë vendin e protestës duke kërkuar shpërndarjen e saj. Në ditët e para të vitit situata u tensionua ndjeshëm. Kulmi i saj arriti pasditen e tre janarit me ndërhyrjen e dhunshme të policisë lokale dhe forcave speciale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›