Vendimi, burg pa afat vrasësit të Bathores
Hasan Puci, katër ditë më parë, vrau vëlla e motër Bilbil dhe Mimoza Ferhati për gjakmarrje
TIRANË- Gjykata e Tiranës lë në burg Hasan Pucin, i cili akuzohët për vrasjen e dyfishtë në Bathore. Masën e sigurisë "burg pa afat" ka vendosur dje Gjykata e Tiranës për të pandehurin 65-vjeçar Hasan Puci i cili u arrestua katër ditë më parë pasi vrau vëlla e motër Bilbil dhe Mimoza Ferhati. Ngjarja për të cilën akuzohet Puci ndodhi katër ditë më parë në Kodër-Kamëz në Tiranë kur ai ka qëlluar me pistoletë duke lënë të vdekur vëlla e motër nga Bathorja. Mësohet se para trupit gjykues, paraditen e djeshme i pandehuri Hasan Puci ka pranuar krimin e dyfishtë duke e motivuar atë. "I vrava për të marrë hakun e dy djemve të mi të vdekur" mësohet të ketë thënë para togave të zeza 65-vjeçari. Gjithashtu ai ka deklaruar se nuk kishte pasur për qëllim të vriste Mimoza Ferhatin por vetëm vëllain e saj Bilbil Ferhati. "Nuk doja të vrisja femër por ajo në atë moment ndodhej në makinë dhe unë qëllova për të vrarë vetëm vëllain e saj",- ka thënë në gjykatë Hasan Puci. Ndërkohë që pasi ka dëgjuar palën mbrojtëse dhe akuzën, gjykata ka vendosur masën e sigurisë "burg pa afat" për autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë. Krimi ndodhi më datë tre janar të këtij viti në Kodër-Kamëz, kur vëlla e motër janë qëlluar me pistoletë në momentin që po ktheheshin për në banesën e tyre pas një vizite që kishin kryer te të afërmit e tyre. Autori i ngjarjes i cili pak minuta më vonë u identifikua si Hasan Puci ndaj të cilit u mor dhe masa e arrestit, i kishte zënë pritë Bilbil dhe Mimoza Ferhatit. 65-vjeçari ka qëlluar me pistoletë në drejtim të automjetit ku ndodhej "shënjestra e tij'. Për pasojë mbeti e vdekur Mimoza Ferhati. I tmerruar nga vrasja e motrës, Bilbil Ferhati ka rrëmbyer pistoletën dhe ka dalë nga makina duke u vënë në ndjekje të 65-vjeçarit. Ky i fundit duket se është treguar më i shkathët pasi ka qëlluar sërish duke e plagosur rëndë Ferhatin i cili gjeti vdekjen pak minuta më pas. Menjëherë pas arrestimit, autori i dyshuar Hasan Puci pranoi para oficerëve të policisë krimin, ndërsa dorëzoi dhe armën me të cilën qëlloi vëlla e motër. Ai u shpjegoi efektivave blu se e kishte kryer vrasjen për motive hakmarrjeje. Rreth katër vjet më parë, vëllai i dy viktimave, Bashkim Ferhati, ka qenë i implikuar në vrasjen e dy djemve të autorit Hasan Puci. Për këtë gjykata e dënoi në mungesë Bashkim Ferhatin me 21 vite burgim ndërsa emri i tij figuron në listën e personave të kërkuar nga drejtësia Shqiptare. Në pamundësi për të gjetur dorësin, Puci i mori jetën vëllait dhe motrës së tij.