Rama: Berisha e futi vendin në krizë
Në PS do të ngrihet Këshilli Ekonomik Kombëtar për situatën ekonomike në vend
TIRANË- Shqiptarët do të duhet që gjatë vitit 2010 të përballen me pasoja shumë të rënda në ekonomitë e tyre si pasojë e përpjekjeve të kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë që ai drejton për të fshehur krizën, që ka përfshirë shumë sektorë të ekonomisë shqiptare.
Ky është konstatimi që ka bërë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës që ka mbajtur dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, që i është kushtuar plotësisht situatës ekonomike dhe sociale në të cilën ndodhet vendi ynë, ndërsa ka bërë të ditur se për të ndjekur hap pas hapi zhvillimet në fushën e ekonomisë, kjo forcë politike do të ngrejë dhe një strukturë të veçantë të cilin do ta quajë Këshilli Ekonomik Kombëtar.
Rama ka bërë të ditur se ky këshill do të mbledhë në përbërjen e tij ekonomistë të grupit parlamentar dhe kontribuues me eksperiencë nga asambleja kombëtare dhe nga shoqëria civile, si dhe do të mbështetet prej një ekipi teknicenësh të rinj, të cilët do të punojnë pranë tij për përditësimin e të dhënave, shifrave e fakteve në funksion të detyrimeve të Këshillit Ekonomik Kombëtar të Partisë Socialiste.
Duke u përqendruar pikërisht tek tema për të cilën ishte thirrur kjo mbledhje, Rama ka paralajmëruar se viti 2010 do të jetë viti i shpërfaqjes së plotë të krizës ekonomike dhe ku qytetarët shqiptarë, sipas tij, do të paguajnë pikërisht faturën e papërballueshme "të politikës së gënjeshtrave, të borxheve pa logjikë, të shpenzimeve pafre, të lënies së vendit symbyllur drejt të tatëpjetës së një krize që sapo ka filluar".
"Fatkeqësisht, as kambana jonë dhe as kambana e Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk u dëgjuan nga Sali Berisha. I cili jo vetëm e fshehu fillimin e krizës duke ia faturuar këtë kosto të shtuar si gjithmonë qytetarëve shqiptarë, por bëri ekzaktësisht të kundërtën e asaj që do të bënte çdo kryeministër i përgjegjshëm për detyrën e tij karshi popullit të vet.
Sali Berisha i shtoi dramatikisht pasojat e krizës duke thelluar borxhet në mënyrë të paarsyeshme, duke bërë shpenzime të shfrenuara para e gjatë fushatës elektorale dhe duke e lënë vendin në rënie të lirë, pa marrë absolutisht asnjë masë anti-krizë", -tha Rama.
Por, Rama nuk ka nguruar që të bëjë edhe një lidhje mes krizës ekonomike dhe asaj politike, ku qeveria nuk pranon të bëjë transparencën e zgjedhjeve. Sipas tij, është pikërisht mungesa e legjitimitetit të institucioneve të dala prej zgjedhjeve të qershorit një nga arsyet që e bëjnë këtë qeveri të paaftë për të ndërhyrë me mjetet e duhura për të zbutur krizën që çdo ditë e më shumë po faturohet shqiptarëve.