E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetësori, Bregu: Për përgjigjet janë angazhuar 600 punonjës

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri publike procedurat që do të ndiqen për pyetësorin


TIRANË - Pyetësori i lëshuar dje nga Komisioni Evropian për Shqipërinë do të angazhojë pothuajse pjesën më të madhe të administratës publike shqiptare për t'iu përgjigjur në kohë 2.280 pyetjeve në 384 faqe të tij.


Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu sapo ka marrë në dorëzim këtë pyetësor, ka paraqitur edhe kapacitetet që ka Shqipëria për plotësimin e tij.


Ndryshe nga Kryeministri Sali Berisha që theksoi se plotësimi i pyetësorit do të kryhet nga 800 punonjës të administratës shqiptare, ministrja e Integrimit tha se numri i punonjësve do të jetë 600. Megjithatë, sipas saj, ky numër mund të rritet nëse kërkohet gjatë plotësimit të pyetësorit.


Ministrja Bregu tha se brenda institucionit që ajo drejton, është ngritur Sekretariati Evropian që do të koordinojë gjithë procesin e plotësimit të pyetësorit. "Është organizuar brenda Ministrisë së Integrimit, Sekretariati Evropian, si një njësi që do të shërbejë për koordinimin e procesit të plotësimit të Pyetësorit të Komisionit Evropian", - tha dje Bregu.


Në procesin e plotësimit të pyetjeve, sipas ministres Bregu janë përfshirë rreth 45 institucione që kanë përcaktuar listën e nëpunësve përkatës që do të hartojnë përgjigjet.


Për të realizuar përgjigjet në mënyrën e duhur, sipas Bregut, është marrë edhe eksperienca e vendeve që e kanë kaluar më parë këtë proces. "Janë zhvilluar takime të nivel teknik dhe politik me ekspertë dhe zyrtarë të vendeve të rajonit të cilat e kanë kaluar së fundmi këtë eksperiencë", - u shpreh ajo.


Gjithashtu, ministrja e Integrimit vuri në dukje se aktualisht po zhvillohet edhe trajnimi i 58 përkthyesve, që do të përkthejnë pyetësorin si para ashtu edhe pas plotësimit të përgjigjeve, duke iu referuar legjislacionit shqiptar për përkthimin në gjuhën angleze.


Pa përmendur shifra konkrete, Bregu nënvizoi se për procesin e plotësimit të pyetësorit është vendosur në dispozicion edhe një fond i veçantë, i cili do të mbulojë financimin e përkthimit të përgjigjeve si dhe rishikimin e përkthimit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›