Aksidenti fatal, drejtuesi i automjetit i merr jetën një kalimtari
Korçë – Pakujdesia gjatë momentit të drejtimit të automjetit nga shoferi, i ka kushtuar jetën një të riu që po kalonte rrugën në ato momente. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Korçë-Pogradec dhe konkretisht në kryqëzimin e fshatit Petrush të Pogradecit. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ka qenë drejtuesi 32-vjeçar Elis Çullaj, banues në Tiranë, i cili ka shkaktuar aksidentin fatal me makinën e tij që mbante targën EL 1009 C. Forcat policore bënë të ditur se kanë mundur që ta arrestojnë atë menjëherë pas ngjarjes. Ndërkaq, mësohet se personi i aksidentuar është 21-vjeçari Klodian Xhemollari, banues në fshatin Vreshtas të Korçës, i cili ka gjetur menjëherë vdekjen pas përplasjes me automjetin.
Nxirrte hekur nga bunkerët në Malin e Kuq, i shpërthen kapsolla në duar
Korçë – Ishte nisur për të nxjerrë hekur nga bunkerët në Malin e Kuq, por gjatë punës i ka shpërthyer në duar një kapsolle duke i shkaktuar dëmtime të gishtave të duarve. Ngjarja ka ndodhur në Korçë dhe sikundër bëhet e ditur për gazetën “Albania”, i dëmtuari quhet Ritvan Rakipi, 51 vjeç, banues në fshatin Floq të këtij qyteti. Pas ngjarjes, ai është dërguar menjëherë në spital nga të afërmit e tij dhe rezulton jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, forcat e policisë pas marrjes së informacionit, kanë kryer veprimet e nevojshme procedurale për kundërvajtje penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal.
Banorët në protesta, kërkojnë ndërtimin e rrugës Fier-Lalaj
FIER- Rreth 400 banorë të fshatrave të komunës Portez në Fier, janë hedhur në protestë paraditen e sotme pasi kërkojnë ndërtimin e rrugës Fier-Lalaj, një rrugë prej 7 km e cila është mjaft e dëmtuar dhe kufizon qarkullimin. Banorët janë mbledhur në fshatin Pyk të kësaj komune ku kanë deklaruar se nuk do të pranojnë asnjë komision votimi në zonën e tyre nëse nuk ndërtohet më parë rruga. Ndërkohë në 3 shkolla 9-vjeçare nxënësit kanë braktisur mësimin gjatë ditës së sotme. Shkollat janë të fshatrave Pyk, Mbyet dhe Kras. Problemi i rrugës Fier-Lalaj, është trajtuar më herët në mediat e shkruara, pasi banorët kanë dalë në protesta edhe herë të tjera, por këtë herë ata kanë kërcënuar se nëse nuk i jepet një zgjidhje problematikës së rrugës së tyre, ata përveçse do të bllokojnë aksin nacional Fier-Tepelenë, do të pengojnë edhe punën e komisioneve të votimit për zgjedhjet e 28 qershorit.
22 Prill 2009