Gjykata, sot seanca pajtuese e Inva Mulës me Pirro Çakon
Laureta Rryçi
Tiranë - Gjykata e Tiranës ka thërritur sot për një seancë pajtimi çiftin e njohur Inva Mula dhe Pirro Çako. Burime pranë Gjykatës së Tiranës pohuan dje se procesi civil për divorcin nis ditën e sotme dhe nëse çifti pajtohet mund të përfundojë brenda ditës duke u pushuar padia. Në të kundërt në këtë seancë palët do të njihen me kërkesat e sopranos, e cila ka marrë vetë iniciativën e para për të zyrtarizuar ndarjen e tyre ligjërisht. Nuk dihet ende nëse çifti do të paraqitet në gjykatë në orën 14:00 kur pritet të fillojë edhe procesi. Gjyqtarja e çështjes Elona Gjoka mësohet se e ka vënë në dijeni çiftin prej disa ditësh për domosdoshmërinë e prezencës së tyre.
Pasuria
Nëse procesi nuk do të pushohet sot atëherë do të jetë gjykata e cila do të vendosë për shtëpitë e tyre, llogaritë bankare, makinat çdo pasuri që deri më dje e menaxhonin së bashku. Në seancën e parë palët do të ftohen për ta zgjidhur çështjen me kompromis, ose e thënë ndryshe të gjejnë midis tyre mundësinë për t’u pajtuar. Nëse ata dëshirojnë të dy që martesa e tyre të përfundojë në divorc do të nisin procedurat e tjera. Në këtë fazë gjykatësja do të njihet nëpërmjet dokumenteve zyrtare mbi pasurinë e çiftit. Kodi i ri i familjes ka përcaktuar se pasuria e çiftit që mbërrijnë në divorc duhet të ndahet përgjysmë pavarësisht se cila palë ka kontribuar më shumë. Ndërsa çështja e dytë po aq e rëndësishme është kujdestaria e fëmijës dhe shpenzimet që duhet të mbulojë pala tjetër. Mësohet se djali i çiftit do të pyetet në prezencën e psikologes së me cilin prind dëshiron të qëndrojë. Në gjykatë padia për dy personazhet mban mbiemrin Tchako mësohet se ky ndryshim është bërë në Francë për efekt shqiptimi.
Padia
Prej dy ditësh sopranoja ka kërkuar zyrtarisht ndarjen nga bashkëshorti i saj pas 20 vitesh martesë, fryt i së cilës është edhe djali, tashmë 14 vjeçar. Pas disa ditësh do të caktohet edhe data që do të zhvillohet seanca ballafaquese mes çiftit. Padia është depozituar nga ana e sopranos dhe ende nuk dihet reagimi i kantautorit Pirro Çakos. Çështja mban numrin 7644 dhe datë regjistrimi 31 mars 2009. Kërkues është këngëtarja Inva Tchako (Mula), ndërsa i paditur bashkëshorti i saj Pirro Tchako. Në ueb-siten e Gjykatës thuhet se objekti i padisë është zgjidhja e martesës midis dy bashkëshortëve Mula–Çako, mbështetur kjo kërkesë në nenet 129-162 të Kodit të Familjes.
22 Prill 2009